×
  • Lajme
  • Lajme / Sinjalizuesi

    Kusari: Çdo tentim i RTK-së për të filluar procedura disiplinore ndaj redaktorit Musliu është vepër penale

    Reporteri
    25 Korrik 2024 | 19:38

    Juristja e mediave, Flutura Kusari ka shkruar se çdo tentim i RTK-së për të filluar procedura disiplinore, civile apo penale ndaj redaktorit Jeton Musliu, është vepër penale në Kosovë.

    Musliu të enjten në një shkrim të gjatë në Facebook, ka shkruar në detaje se si ushtrohet censura dhe ndikimi politik nga Lëvizja Vetëvendosje në RTK.

    “Jam thellësisht e tronditur dhe sigurisht qe do te flasim me gjate. Ajo qe eshte me rëndesi tani eshte te qartësohet që Jeton Musliu e ka përdorë lirinë e tij të shprehjes për të ndarë informacione që janë në interes të publikut”, ka shkruar Kusari.

    “Jeton Musliu është sinjalizues dhe mbrohet me Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Ai po ashtu mbrohet me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, përkatësisht me nenin 10”, ka sqaruar ajo.

    Sipas Kusarit, nje rast i ngjashëm ka ndodhe ne Hungari dhe Gjykata Europiane per te Drejtat e Njeriut i pati jape te drejte sinjalizuesit nga transmetuesi publik hungarez i cili e pati denoncu cenzuren ngjashem si Jetoni.

    “Cdo tentim i RTK-se per te filluar procedura disiplinore, civile apo penale ndaj tij eshte veper penale ne Kosove sipas nenit 388.2. Personi qe inicion cfaredo procedure ndaj tij ben veper penale dhe shpresoj qe prokuroria do te monitoroj kete rast per te mbrojtur sinjalizuesin Jeton Musliu”, ka shkruar ajo.

    Ndërkaq, Musliu ka thënë se ka pasur presion nga lartë për publikimin e asaj kronike, por në mënyrë bizare u shpreh se i ka ardhur mirë që në fund është publikuar.

    “Lajmi i publikuar të hënën në TV e ku redaktor isha unë, nuk e di pse, por në njëfarë mënyre disi bizare, më vjen mirë që doli. Pavarësisht insistimit tim që kjo të mos ndodhë, por kur presioni bëhet i vazhdueshëm mbi ty si redaktor, vjen çasti që përpiqesh që lajmi i deleguar të jetë më dëm sa më të vogël. Nuk ke nga ia mban. Të tjerë ndoshta edhe kanë. Unë nuk rri me asnjë pushtetar apo ish pushtetar. Bile kafen e mëngjesit e pi shpesh me pastrueset të cilat i cmoj shumë më shumë sesa moralistët që të vetmen punë e kanë me heq e me ngjit bishta. Sigurisht, në pritje të ndrrimit të pushteteve, sepse pastaj duhet vazhduar njësoj si ata që ikin. Pra është cikël”, ka shkruar ndër tjerash ai.

    Për këtë raportim të RTK-së, bordi ka krijuar një komision i cili do të shqyrtojë të gjitha shqetësimet – një ashtu bordi ka shprehur keqardhje për atë që u publikua.

    Por, në këtë linjë nuk është Rilind Gërvalla, drejtor i RTK-së, që mediumin boshnjak e ka cilësuar si kredibil përkundër se njihet për lajme të rreme.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!