Subjektet politike deri të premten kanë afat t’i deklarojnë në KQZ koalicionet parazgjedhore për votimet e fillim vitit të ri. Pas 30 gushtit, secili subjekt politik që s’ka deklaruar koalicion, do të obligohet të garojë i vetëm në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në mbledhjen e mbajtur më 28 gusht 2024, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), njoftoi se ka pranuar deklarimin e një koalicioni parazgjedhor ndërmjet dy partive politike të regjistruara: Partia Demokratike e Unitetit dhe Iniciativa Balli, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Megjithatë, ende s’dihet nëse do të vazhdojë koalicioni i partnerëve aktual qeverisës, LVV-së me Listën “Guxo” dhe Alternativën, krahas takimeve që janë mbajtur me krerët e të trija subjekteve. “Guxo” dhe “Alternativa”, në zgjedhjet e fundit parlamentare kishin garuar në listën e LVV’së.
I pyetur për këtë çështje, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës “Guxo”, Burim Meta, në një përgjigje për Reporteri.net, bëri të ditur se gjatë ditës së sotme, në mbledhje me Këshillin e Përgjithshëm, do të marrin vendim për vazhdimin e rrugëtimit.
“Sot në orën 17:00 e kemi mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm ku do ta marrim vendimin se çfarë do të bëjmë. Ne kemi identitet politik partiak, natyrisht edhe koaliconi duhet të përfshijë akronimin tonë”, ka deputeti e Meta për Gazetën Online Reporteri.net.
Mediumi është interesuar rreth kësaj çështje edhe tek subjekti politik “Alternativa” që drejtohet nga shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, por se deri në publikimin e artikullit nuk ka marrë përgjigje.
Sipas KQZ-së, deri më tani, dy parti politike të regjistruara, Partia Demokratike e Diasporës dhe Lëvizja për Bashkim, kanë njoftuar për mospjesëmarrjen në zgjedhje.
Ndërkaq, Presidentja Vjosa Osmani, ka caktuar 9 shkurtin 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. Me ç’rast, ajo ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizmin e këtyre zgjedhjeve. /Reporteri.net/