×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas pranimit të fajësisë, dënohet me pesë muaj burgim i akuzuari për fyerjen e UÇK-së

    Reporteri
    29 Gusht 2024 | 16:15

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me pesë muaj burgim të akuzuarin Sasha Zlatkoviq, pasi i njëjti pranoi fajësinë lidhur me akuzën se nxori në rrjete sociale një video-xhirim, ku fyhej logoja e UÇK-së dhe nënat shqiptare.

    Shpallja e aktgjykimit ndaj tij u bë të enjten nga gjykatësi i rastit, Kushtrim Shyti.

    Sipas aktgjykimit, në dënimin e shqiptuar me burgim të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 22.07.2024, ndërsa do t’i vazhdohet edhe masa e paraburgimit nga dita e sotme deri sa ky aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm, por jo më gjatë se koha e dënimit të shqiptuar.

    Po ashtu, gjykata ndaj të akuzuarit Zlaktoviq shqiptoi edhe dënimin plotësues – dëbim i të huajit nga territori i Republikës së Kosovës në kohëzgjatje prej pesë vite, mirëpo koha e mbajtur në burg nuk i llogaritet në kohëzgjatjen e këtij dënimi.

    Gjithashtu, i akuzuari obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë për paushallin gjyqësor shumën prej 100 euro si dhe për Fondin e kompensimit e viktimave të krimit shumën prej 100 euro.

    Ndërsa, kërkesë pasurore-juridike në këtë çështje penale nuk pati, kurse palët e pakënaqura kundër këtij vendimi kanë të drejtë ankese përmes kësaj gjykate në Gjykatën e Apelit.

    Pasi që gjykatësi përfundoi shpalljen e aktgjykimit, mbrojtësi i të akuzuarit Zlatkoviq, avokati Shyqyri Syla pyeti gjykatësin nëse dënimi i shqiptuar me burgim mund të zëvendësohet në dënim me gjobë, por këtë nuk e mundësoi gjykatësi Shyti./Betimi për Drejtësi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!