×
  • Lajme
  • Lajme / Dokument

    “Termokos” kufizon konkurrencën, shpërblen IPKO-n me tender me negocim

    Reporteri
    29 Gusht 2024 | 18:58

    Ndërmarrja Publike “Termokos” ka dhënë tenderin për shërbime të internetit. Përmes procedurës së negociar pa publikim të njoftimit për kontratë, kjo ndërmarrje ka shpërblyer me kontratë kompaninë “IPKO Telecommunications”, duke kufizuar kështu konkurrencën, shkruan Reporteri.net.

    Vlera e kontratës është 12 mijë euro, apo 279 euro e 89 centë për muaj. Kohëzgjatja e kontratës është për 24 muaj.

    “Tenderi juaj është vlerësuar me kujdes sipas kushteve dhe kërkesave të dhëna në njoftimin për kontratë dhe në dosjen e tenderit. Juve ju është dhënë kontrata me çmimin e saktësuar në tendering tuaj dhe në pajtim me afatet dhe kushtet e dosjes së tenderit. Dhënia e kontratës është e përkohshme dhe nuk përbën një marrëveshje kontraktuale deri në skadimin e intervalit, gjatë të cilit ofertuesit e pasukseshëm mund të kërkojnë shqyrtimin e vendimit”, thuhet në dosjen e tenderit.

    Nënshkrimi i kontratës është planifikuar të bëhet me 3 shtator.

    Lidhja e kontratës me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë parashihet edhe me Ligjin për Prokurim Publik, mirëpo me disa kushte.

    “Autoriteti kontraktues mund të përdorë procedurat e negociuara pa publikimin e njoftimit të kontratës për të ushtruar aktivitetin e prokurimit vetëm pasi që të jetë në pajtim me këtë nen. KRPP duhet të njoftohet nga autoriteti kontraktues në fjalë brenda dy ditëve nga data kur vendimi për përdorimin e procedurave të tilla është marrë. Autoriteti kontraktues duhet që në njoftim të ofrojë një shpjegim të hollësishëm të fakteve të konsideruara dhe justifikimin për përdorimin e procedures”, parashihet me Ligj.

    “…nëse, për aq sa është shumë e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues, autoriteti i tillë kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë ligj. Me kusht që kjo
    dispozitë të mos mund të shfrytëzohet nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta ose lëshimeve të autoritetit kontraktues”, thuhet në ligj.

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!