×
  • Lajme
  • Lajme / Qëndrimi i kryeparlamentarit

    Konjufca për hapjen e Urës së Ibrit: Është domosdoshmëri, s’përbën kërcënim të sigurisë

    Reporteri
    03 Shtator 2024 | 19:08
    Foto ilustruese

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, e ka quajtur domosdoshmëri hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

    Në një intervistë për ‘DPT te Fidani’, Konjufca ka thënë se nuk mendon që hapja e Urës së Ibrit përbën kërcënim të sigurisë.

    E sipas tij, prania e ushtarëve mbi urë, nuk lë shijen më të mirë për një Kosovë të bashkuar.

    “Mua më duket që nuk ka kurrëfar potenciali atje për të eskaluar situata, nuk më duket se hapja përbën një kërcënim të sigurisë, hapja e kësaj ure është një domosdoshmëri jo e sotit, është një domosdoshmëri e cila ka qenë vite me radhë, sepse tashmë jemi vonë le të thuhet me fjalë të tjera, sa i përket hapjes së kësaj ure”.

    “Është dashur ndoshta më mirë të themi të mos mbyllet fare kjo urë, por ja që është mbyllur dhe vet simbolika që e ka prania e ushtarëve mbi urë, nuk len shijen më të mirë, për një Kosovë të bashkuar dhe për një Kosovë unitare”, është shprehur ai.

    Lidhur me çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar nga Qeveria Kurti që të mos marrë veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara të cilat sjellin pasoja negative te një pakicë njerëzish.

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

    Në anën tjetër, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë vazhdimisht se hapja e urës së Ibrit duhet të bëhet vetëm përmes dialogut, ndërsa javën e kaluar tha se Qeveria Kurti bën mirë që t’i dëgjojë mesazhet e partnerëve të saj.

    Qeveria e Kosovës është shprehur kundër që të ketë diskutime për këtë çështje në Bruksel.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!