×
  • Lajme
  • Botë / OKB

    Shpëtohen shtatë emigrantë, zhduken 21 të tjerë pas fundosjes së anijes në Itali

    Reporteri
    04 Shtator 2024 | 19:16

    Shtatë njerëz janë shpëtuar, ndërsa 21 të tjerë janë zhdukur në det si pasojë e fundosjes së një anijeje me emigrantë pranë bregdetit të ishullit italian Lampedusa, thanë zyrtarët e OKB-së të mërkurën.

    Të shpëtuarit janë shtetas sirianë, të cilët u thanë ekipeve për shpëtim se tre fëmijë janë në mesin e personave të zhdukur, raportuan mediat italiane.

    Roja bregdetare italiane i shpëtoi shtatë emigrantët dhe tha se ata po lundronin me një anije me 28 njerëz në bord, e cila ishte nisur nga Libia disa ditë më parë.

    Koordinatori i UNICEF-it në Itali, Nicola Dell’Arciprete, e dënoi “fundosjen tragjike të edhe një anijeje tjetër pranë Lampedusas”.

    “Shumica e të mbijetuarve thonë se i kanë humbur anëtarët e familjes. Ne jemi në vendin e ngjarjes me ekipet tona”, shkroi ai në X.

    Mesdheu qendror është njëra prej rrugëve më vdekjeprurëse detare për emigrantët. Sipas agjencisë së OKB-së për emigrantët, IOM, më shumë se 2.500 emigrantë janë mbytur apo zhdukur në përpjekje për ta kaluar Mesdheun vitin e kaluar.

    Ndërsa, deri tani këtë vit janë mbytur apo zhdukur 1.047 të tjerë.

    Të dhënat e fundit nga Ministria e Brendshme e Italisë tregojnë se mbi 43.000 emigrantë kanë mbërritur në Itali deri tani në vitin 2024, që është një rënie krahasuar me vitet e kaluara./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!