×
  • Lajme
  • Botë

    Varianti britanik i koronavirusit, më i përhapuri në SHBA

    Reporteri
    08 Prill 2021 | 10:02

    Varianti i koronavirusit që përhapet më lehtë, i identifikuar fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar, është kthyer në variantin më të përhapur në Shtetet e Bashkuara, andaj edhe numri i rasteve të infektimit po vazhdon të rritet, ka thënë Rochelle Walensky, udhëheqëse e Qendrave për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara.


    Sipas saj, varianti britanik i koronavirusit është identifikuar në 52 rajone në SHBA.

    Zyrtarët amerikanë të shëndetit publik u kanë bërë thirrje banorëve të SHBA-së që të vaksinohen sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që të parandalojnë përhapjen e varianteve të reja.

    Shtetet e Bashkuara kanë identifikuar edhe raste të infektimit me variantin e zbuluar fillimisht në Afrikën Jugore, i cili besohet se u reziston vaksinave dhe trajtimeve për COVID-19, sëmundjen që shkakton koronavirusi.

    Ky variant është identifikuar në 36 shtete amerikane, sipas të dhënave federale, që janë publikuar të martën.

    Shtetet e Bashkuara janë duke dhënë 3 milionë vaksina në ditë kundër koronavirusit.

    Furnizimi me vaksina është rritur dukshëm në SHBA në javët e fundit, pasi kompania Johnson & Johnson ka nisur të prodhojë miliona doza të vaksinës tashmë të autorizuar.

    Kompanitë Pfizer/BioNTech dhe Moderna, po ashtu kanë rritur kapacitetet prodhuese për vaksinat e tyre kundër këtij virusi.

    Presidenti amerikan Joe Biden ka dyfishuar synimin e tij për dhënie të vaksinave në 100 ditët e para në zyrën e presidentit, nga 100 në 200 milionë, dhe u ka bërë thirrje shteteve që të nisin vaksinimin e të gjithë të rriturve në mesin e muajit prill.

    Megjithatë, SHBA-ja vazhdon të ketë shifra të konsiderueshme të infektimeve.

    Në shtatë ditët e fundit janë regjistruar 63,000 raste, çka përbën rritje prej 2.3 për qind në krahasim me javën paraprake, ka thënë Walensky./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!