Tregu i kriptovalutave është ndezur sërish, teksa Bitcoin – monedha më e madhe digjitale në botë – ka arritur një nivel të ri historik, duke kaluar shifrën prej 113,800 dollarësh.
Rritja e mprehtë ka ndodhur brenda pak ditësh dhe ka ngjallur entuziazëm në radhët e investitorëve dhe analistëve financiarë, shkruan bussinesinsider.
Sipas të dhënave nga platformat kryesore të tregtimit, vlera e Bitcoin është rritur me mbi 4 për qind vetëm në 24 orët e fundit, duke përforcuar trendin pozitiv që ka nisur që në fillim të korrikut.
Kjo është hera e parë që monedha digjitale kap një nivel të tillë, duke kaluar edhe rekordin e mëparshëm të vendosur në fillim të vitit.
Çfarë po e nxit këtë rritje?
Ofertë e kufizuar në treg – shumica e Bitcoinit aktualisht ruhet jashtë platformave të tregtimit, gjë që ul disponueshmërinë dhe nxit çmimin.
Rritje e kërkesës institucionale – investime të mëdha në ETF-et e Bitcoin-it kanë rritur ndjeshëm fluksin e kapitalit.
Kushtet makroekonomike – pritjet për uljen e normave të interesit në SHBA dhe një klimë më optimiste në tregjet financiare e kanë bërë Bitcoin-in më tërheqës si aset investimi.
Ekspertët parashikojnë që, nëse trendi vazhdon, çmimi i Bitcoin mund të arrijë në 140 mijë dollarë deri në fund të vitit.
Java e ardhshme, e njohur si “Crypto Week”, pritet të sjellë zhvillime të rëndësishme, përfshirë diskutimet rreth rregullimeve ligjore për asetet digjitale. Vëzhguesit e tregut do të jenë me sytë nga këto zhvillime që mund të ndikojnë më tej në çmimin e Bitcoinit.