Biseda telefonike që Prokuroria thotë se e acaroi dorasin – Çka foli ai me vajzën e hallës para se ta vriste Agonis Tetajn

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës (të cilën e ka bërë publike babai i viktimës) përmendet një bisedë telefonike ndërmjet të dorasit Shaban Gogaj dhe vajzës së hallës së tij, e cila, sipas aktakuzës, e kishte acaruar dorasin. Edhe në videot e publikuara shihet se Gogaj e kishte vrarë Agonis Tetajn menjëherë pas përfundimit të bisedës telefonike. Por, çka kishin biseduar Shabani me N.M. në ditën kritike?


Mesditën e 23 shtatorit të vitit 2018, Agonis Tetaj nga fshati Llukë i Deçanit, mbeti i vdekur në vendin e tij të punës, nga një plumb në kokë të cilin ia shkrepi Shaban Gogaj, djali i pronarit të kompanisë ku po punonte.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës, thuhet se Gogaj me dashje e ka privuar nga jeta Agonis Tetajn dhe ka vënë në rrezik jetën e dy punonjësve të tjerë që gjendeshin afër tij.
Aty thuhet po ashtu se shkrepja e armës ka ardhur pas një telefonate që kishte marrë dorasi Shaban Gogaj. Sipas Prokurorisë, telefonata e kishte acaruar Gogajn.

“Me date 23.09.2018, rreth ores 11.04 min, ne Deçan, ne rrugen ‘Luan Haradinaj nr 130, ne Kompanine “Gogaj AG “, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj nga fshati Lluke e Deçanit, dhe me kete rast ve ne rrezik jeten e ketu te demtuareve. A.H. dhe F.Z, ne ate menyre qe pasi i pandehuri merr nje telefonate nga N.M., ketu deshmitare, nga e cila bisede shifet se eshte dukshem i acaruar…”, thuhet në aktakuzë.

Në dëshminë e tij dhënë në polici, Shaban Gogaj kishte deklaruar se nuk i kujtohet çka kishte biseduar me vajzën e hallës së tij, N.M.

“Nuk i kujtohet saktësisht ora kur vajza e hallës e ka thirre ne telefon, N.M., nuk e din se çka ka biseduar me te, vetëm thotë ti ketë treguar se e njëjta gjendet te vendi i quajtur “Vorri i vajzës””, thuhet në aktakuzë.

Ndërkaq vajza e hallës së tij, N.M., kishte deklaruar në polici se me Shabanin kishte biseduar për dalje në bjeshkë dhe gjërat ushqimore që do t’i merrnin me vete.

“N.M. e marr në pyetje nga policia me autorizim ta Prokurorisë, e në prezencan e prindit, me dt. 25.09.2018, deklaron se ta pandehurin e ka djalë daje dhe se me të njejtin ka biseduar me telefon pak momente para se ta ndodhe rasti, kanë biseduar par dalje ne Bjeshka dhe gjërat ushqimore qa duhet ri marin me vete, ajo ka qenë na dijeni par ekzistimin e nja arme na dollap me leje, por se na emër te kujt ka qenë, nuk e din”, bëhet e ditur në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës.

Ndryshe, vrasja e të riut që kishte ndodhur më 23 të vitit 2018, të martën nga vepra penale “Vrasje e rëndë” është ricilësuar në “Vrasje nga pakujdesia”.

Për këtë shkak, babai i viktimës Agonis Tetaj, Isuf Tetaj, ka akuzuar prokurori i rastit i cili e ka ricilësuar veprën, Agron Uka, se ka manipuluar dhe nuk ka vënë drejtësi në rastin e vrasjes së të riut.

Pas kësaj, ka reaguar Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ka vendosur të ndërrohet prokurori i rastit, e po ashtu ka kërkuar të merren masat e duhura ndaj prokurorit Agron Uka.