×
  • Lajme
  • Lajme

    E hëna vendimtare, çfarë do të ndodhë nesër në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë?

    Reporteri
    26 Shkurt 2023 | 8:46

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nesër në Bruksel do të zhvillojnë takimin e radhës ku dhe do të kenë para vetës propozimin evropian, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Nga ky takim pritet që edhe publikisht të pranohet plani që fillimisht ishte njohur si propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes dyja vendeve.

    Përfaqësuesi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i bllokut evropian, Josep Borrell ka thënë se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është në një moment vendimtar.

    “BE-ja u ka paraqitur palëve një propozim që do ta vendosë procesin e normalizimit në një rrugë solide dhe largpamëse”, tha Borrell, ndërsa shtoi se shpreson se palët ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

    Lidhur me takimin e 27 shkurtit ka folur edhe ndërmjetësi evropian Miroslav Lajçak i cili e bëri të qartë se propozimi i BE-së nuk është i negociueshëm.

    “Plani, që besoj se do të pranohet të hënën, do të jetë i detyrueshëm për të dyja palët. Nuk është një marrëveshje e përkohshme. Pas kësaj do të vazhdojë procesi i normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve, që duhet të përfundojë me nënshkrimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përpara se Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”, tha Lajçak gjatë kësaj jave.

    Lajçak gjithashtu ka thënë se Prishtina dhe Beogradi do të kenë pasoja negative nëse do t’i thonin ‘jo’ propozimit evropian dhe se Amerikës e BE-së nuk mund t’i thuhet “jo”.

    “Refuzimi i propozimit do të nënkuptonte refuzimin e një normalizimi të marrëdhënieve dhe rrugës evropiane, dhe SHBA, komuniteti ndërkombëtar dhe BE-ja do të reagonin ndaj kësaj. Tani për tani, nuk dua të hyj në pasojat negative. Mendoj se është e qartë për të gjithë se BE-së dhe Amerikës nuk mund t’i thuhet jo, veçanërisht nëse kjo mund të na sjellë stabilizim, normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, stabilizim të atmosferës në Ballkan dhe një rruge të përshpejtuar evropiane”, tha Lajçak.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 23 shkurt se propozimi evropian nuk është produkt i negocimit. Sipas tij, aleatët e Kosovës e kanë dizajnuar propozimin evropian si një pako që do të avancojë anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!