×
  • Lajme
  • Lajme

    Abdixhiku mbledh sot në ora 12:00 deputetët e LDK-së për çështjen e presidentit

    Reporteri
    30 Mars 2021 | 9:35

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku do të takojë sot deputetët e partisë së tij për çështjen e presidentit.


    Burime nga LDK-ja i kanë thënë Reporteri.net se takimi pritet të mbahet në ora 12:00.

    Këto takime të Lidhjes Demokratike të Kosovës janë duke u mbajtur disa ditë pasi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe nënkryetari, Lutfi Haziri u takuan me kandidaten për presidente, Vjosa Osmani.

    Haziri, dje pas takimit të Kryesisë së partisë e cila zgjati rreth tre orë tha se pas takimit të kryetarit Abdixhiku me deputetët vendoset nëse e votojnë apo jo Vjosa Osmanin për presidente.

    “Kryetari i LDK-së dhe lidershipi nesër (sot) do të takohen me grupin e deputetëve që pjesëmarrja në seancë të jetë në frymën kushtetuese dhe duke krijuar frymë dhe angazhim dhe stabilitet politik në këtë vend. Ne do të punojmë që të dalim unanim, na duhet si çdo herë që veprimi jonë i përbashkët të jetë arma jonë politike”, pohoi Haziri.

    Haziri dje pas takimit të Kryesisë takoi në një nga lokalet e Prishtinës, deputetin Agim Veliun.

    Ky i fundit është një nga emrat që raportohet se kundërshton votimin e Vjosa Osmanit pë presidente. Dhe pikërisht ky takim i Hazirit me Veliun shihet si tentim për ta zbutur atë që ta jap votën për Osmanin që LDK të dalë unifikuese, shkruan Reporteri.net.

    Përveç Veliut, raportohet se kundër Osmanit janë deputetët, Avdullah Hoti e Driton Selmanaj. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!