Një aksident trafiku me pasojë vdekjen ka ndodhur sot rreth orës 06:57 në magjistralen Suharekë – Shtime, në Qafë të Duhlës, shkruan Reporteri.net.
Një motoçikletë, me në bord një çift shtetas maqedonas, është përplasur pasi një endacak u ka dalë në rrugë, duke bërë që drejtuesi i motorit të humbasë kontrollin.
Pasagjerja, D.M., 1985, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa drejtuesi, A.S., 1979, ka mbetur i lënduar dhe ka marrë ndihmën mjekësore.
Njoftimi:
Aksident trafiku me pasojë vdekjen
Prizren, 08 Korrik 2025
Sot rreth orës 06:57 Policia e Kosovës ka pranuar informatën se në magjistralen Suharekë – Shtime, tek vendi i quajtur Qafa e Duhlës ka ndodhur një aksident trafiku ku është i përfshirë një motoçikletë. Sipas informacioneve fillestare një çift shtetas Maqedonas (A.S. 1979 – mashkull dhe D.M. 1985 – femër), deri sa ishin duke udhëtuar me një motoçikletë nga qyteti i Shtimës në drejtim të qytetit të Suharekës, tek vendi i quajtur Qafa e Duhles një qenë endacak u del në rrugë, me ç’rast drejtuesi i motorit ka humb kontrollin e motorit dhe janë përplasur. Si pasoj e përplasjes së motorit, pasagjerja D.M. 1985 (femër) ka mbetur e vdekur në vendin e ngjarjes deri sa drejtuesi i motorit A.S. 1979 ka mbetur i lënduar.
Policia e Kosovës së bashku me Emergjencën me të pranuar informacionin ka dal në vendin e ngjarjes, ku mjeku ka konfirmuar vdekjen e viktimës deri sa i është dhënë ndihma mjekësore të lënduarit.
Të gjitha veprimet policore janë duke u ndërmarr konform procedurave atë parapara me ligj.
Prokurori i shtetit është informuar lidhur me rastin. Me vendim të Prokurorit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Magjistralja Suharekë – Shtime është e qarkullueshme për lëvizjen e qytetarëve.