×
  • Lajme
  • Lajme / Dosja

    Aktakuza për keqpërdorim detyre, Damka-Prokurorisë: MPJD kishte deklaruar se mund të vijojmë me nënshkrimin e marrëveshjes

    Reporteri
    10 Korrik 2025 | 14:59

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 korrik 2025 ka ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe ushtruesit të detyrës së sekretarit në këtë ministri, Besim Kamberaj, të cilët ngarkohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Sipas aktakuzës që e ka publikuar “Betimi për Drejtësi”, Fikrim Damka kishte dhënë mbrojtjen e tij në PSRK më 4 shtator 2024.

    Fillimisht, Damka ka deklaruar se negociatat për nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit mes Ministrisë së Zhvillimit Rajonal (MZhR) dhe Caritasit Zvicerian kishin filluar para se të merrte pozitën si ministër.

    Sipas Damkës, me kërkesë të Caristasit Zvicerian kishte vijuar negociatat për lidhje të memorandumit dhe pas hartimit të drafit-marrëveshjes, të njëjtën e kishin dërguar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) për vlerësim.

    Me çka, sipas Damkës, MPJD kishte deklaruar se mund të vijojnë me nënshkrimin e marrëveshjes. Ai ka thënë se pasi që ka marrë pëlqimin nga kjo Ministri, ka konsideruar se baza ligjore për lidhjen e saj është në rregull.

    Për Kamberajn, Damka ka sqaruar se ka udhëhequr procedurat për finalizimin e draft-marrëveshjes mes MZhR-së dhe Caritasit Zvicerian.

    Sipas tij, koncept-dokumentet për projektet “Yeni” dhe “Mardi” ishin hartuar bashkërisht nga stafi i MZhR-së dhe Caritasi Zviceran. Tha se në memorandumin e bashkëpunimit janë të pasqyruara edhe tabelat e financimit.

    Sipas Damkës, marrëveshja nuk ka pasur implikime buxhetore shtesë, pasi që mjetet buxhetore kanë qenë të alokuara tek investimet kapitale dhe se edhe përkundër kërkesës së bërë në Qeveri për ndarje të mjeteve, sipas tij, këta të fundit i kishin thënë se nuk ka nevojë për aprovim të Qeverisë, pasi që mjetet buxhetore janë ndarë me buxhetin që është miratuar nga Kuvendi.

    Ministri në detyrë kishte thënë se OJQ-në “Caritasi Zviceran” nuk e ka përzgjedhur si përfituese të projektit, por vetëm ka vazhduar negociatat e filluara nga ministri paraprak. Tha se Caritasi Zvicerian nuk ka përfituar asnjë centë, sepse mjetet financiare që ishin transferuar Caritasit nga MZhR-ja, ishin paguar më pas Caritasit dhe OJQ-ve tjera që kishin marrë pjesë në realizimin e projekteve tjera.

    Damka ka deklaruar se arsyeja pse nuk është bërë ftesë publike ashtu siç e parasheh rregullorja ishte se Caritasi Zviceran nuk ishte OJQ vendore por ndërkombëtare, sepse kur kemi të bëjmë me OJQ-të vendore zbatohen procedurat sipas rregullores në fjalë.

    I pandehuri ka deklaruar se ai nuk ka qenë në dijeni se në implementim e projekteve “Mardi” dhe “Yeni ” do të përfshihet OJQ “Germin” dhe se këtë fakt e kishte kuptuar kur ishte intervistuar nga Policia dhe nuk kishte dëgjuar asnjëherë për këtë OJQ.

    Po ashtu, Damka ka deklaruar se pas mbajtjes së konferencës për media nga deputetja e PDK-së Ariana Musliu-Shoshi ku e njëjta kishte deklaruar se ministri Damka dhe ministrja Donika Gërvalla kanë keqpërdorur fondet publike, kishte kërkuar nga Sekretari i Ministrisë që të stopohet realizimi i kësaj marrëveshje dhe të njoftohet Caritasi Zviceran.

    I pandehuri Damka ka deklaruar se ai kishte kërkuar që të shqyrtohet edhe një herë baza ligjore se a kishin vepruar drejt apo jo. Tha se me rastin e lidhjes se memorandumit të bashkëpunimit nuk kishin pasur ndonjë diskutim zyrtar me ndonjë zyrtar nga Caritas Kosova.

    Ai ka deklaruar se nuk ka informacione se si ishte bërë financimi i OJQ “Germin”, sepse me këto çështje ishte marrë komisioni që ishte mbikëqyrës i realizmit të projektit.

    Në fund, ka thënë se me sa e di nuk ka pasur asnjë përfitim Caritasi Zviceran, përkundrazi ka financuar rreth 1.6 milion euro në projektet me interes për Republikën e Kosovës.

    Çka ka deklaruar në Prokurori ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Besim Kamberaj?

    Sipas aktakuzës, Besim Kamberaj në mbrojtjen e tij më 1 tetor 2024, ka deklaruar se në bazë të kompetencës dhe mandatit që ka pasur në atë kohë, kanë negociuar projekt-propozimet dhe kanë komunikuar me MPJD-në për të ndjekur procedurat standarde për nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit.

    Ai ka deklaruar se ka qenë ofertë e Caritasit Zviceran, të cilët kanë shprehë gatishmërinë për bashkëpunim me Ministrinë e tyre dhe shumën e mjeteve prej 1,600,000.00€, të cilat i kishin në dispozicion të shfrytëzohen në të mirë të nxënësve dhe shkollave në Kosovë.

    Kamberaj tha se ideja për këto projekte ka ardhur në kohën e ministrit Enis Kervan.

    I pandehuri lidhur me projektet e lartcekura ka deklaruar se janë në përputhje me MZhR-në, të cilat pastaj janë planifikuar në buxhet dhe kanë filluar zbatimin në vitin 2022 pas aprovimit të buxhetit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe po ashtu paraprakisht janë marrë pëlqimet e nevojshme nga MPJD-ja. Kjo e fundit, sipas Kamberajt, ka qenë kompetente për të vendosur- respektivisht për të dhënë pëlqimin për lidhjen e Marrëveshjeve Ndërkombëtare.

    Sipas tij, në koncept-dokumentin e projektit “Mardi” nuk është përmendur vetëm OJQ “Germin”, por edhe disa të tjera, me të cilat po punonte Caritasi Zviceran në zhvillimin e disa projekteve. Tha se ata janë siguruar që “Germin” nuk ka pasur lidhje me mjetet e dhëna nga MZhR-ja dhe se sipas tij, ata nuk mund të interferojnë me kë punon Caritasi Zviceran.

    Edhe Kamberaj, tha se kjo marrëveshje nuk i është nënshtruar thirrjes publike për financim ngase Caritasi konsiderohet organizatë ndërkombëtare.

    Për projektin “Mardi”, ai tha se ka pasur thirrje publike dhe ajo ka qenë e publikuar në ueb-faqe të Ministrisë dhe Caritasit. Ka shtuar se procedura është zhvilluar në pajtim me Rregulloren dhe se asnjë cent nga Ministria nuk është dhënë pa njoftim publik.

    I pandehuri ka deklaruar se para se të nënshkruhet marrëveshja nuk ishte kontaktuar Caritasi në Kosovë sepse për këtë Caritas ka dëgjuar pas reagimeve të bëra në lidhje me këtë marrëveshje qoftë ato mediale apo politike.

    Kamberaj ka deklaruar se para se të nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit i datës 16 gusht 2021, MZhR-ja nuk ka pasur të alokuara mjetet për këtë memorandum sepse marrëveshja është bërë për tu implemtuar për vitet 2022, 2023 dhe 2024.

    “I pandehuri ka deklaruar “Marrëveshja ka implikim buxhetor brenda buxhetit të Ministrisë për vitet 2022, 2023 dhe 2024 por nuk ka implikim buxhetor shtesë nga Qeveria që i nënshtrohet procedurave tjera të ratifikimit”, thuhet në aktakuzë.

    Po ashtu, Kamberaj ka theksuar se buxheti ndahet për programe të caktuara dhe më pas në qarkoren për buxhet përcaktohet saktë se për çfarë mund të shfrytëzohet ai buxhet, gjithashtu edhe tek korniza afatmesme e shpenzimeve.

    Kamberaj ka shtuar se së bashku me Caritasin kishin shkuar në Ministrinë e Financave dhe aty ishin njoftuar se këto projekte nuk mund të kategorizohen si investime kapitale sepse janë shuma të ulëta dhe duhet të trajtohen nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve.

    Gjithashtu, Kamberja ka mohuar se njeh organizatën “Germin” dhe se për të kishte kuptuar nga reagimet që ishin bërë në media duke shtuar po ashtu se nuk ka njohuri për këtë organizatë dhe nuk e di kush janë themeluesit e saj.

    I pandehuri ka deklaruar se në procedurën që ishte zhvilluar për lidhjen e këtij memorandumi, ishte i kyçur edhe ministri Fikrim Damka i cili kishte nënshkruar marrëveshjen.

    Në fund të deklaratës, Kamberaj ka deklaruar se para se të lidhet marrëveshja me Caritasin Zviceran, nuk kanë marrë mendim ligjor nga zyra ligjore e MZhR-së, pasi që MPJD-ja ishte kompetente për ta dhënë pëlqimin për marrëveshje të tilla.

    Po ashtu, ai ka thënë se projekti i është nënshtruar auditimit të brendshëm dhe të jashtëm të MZhR-së dhe se nuk ka pasur vërejtje për projektet në fjalë.

    Ai tha se pas reagimeve në media, i kishin pezulluar përkohësisht aktivitetet për sqarime shtesë nga institucionet relevante dhe pas rikonfirmimit nga MPB-ja që Caritasi Zviceran është regjistruar si organizatë ndërkombëtare dhe konfirmimit shtesë nga MPJD-ja se marrëveshja është në rregull, MZhR-ja ka vazhduar me implementimin e dy projekteve të lartcekura.

    Damka dyshohet se dëmtoi mbi 1 milionë Euro buxhetin e shtetit për përfitim financiar të organizatës së themeluar nga deputetja e VV-së

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!