×
  • Lajme
  • Lajme

    Anëtari i Partisë Demokratike Turke reagon ndaj Konjufcës: Ne e kemi votuar Kushtetutën e Kosovës, ti ku ishe në atë kohë

    Reporteri
    25 Qershor 2019 | 10:37

    Anëtari i kryesisë së KDTP dhe ish-nënkryetari i Kuvendit Komunal të Prizrenit, Orhan Lopar, ka reaguar ndaj shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufcës.


    Lopar i ka kujtuar Konjufces se ata kanë votuar Kushtetutën dhe e njohin shtetin e Kosovës.

    Ai madje e ka pyetur Konjufcën nëse e ka pasur ndonjëherë në dorë flamurin e Kosovës.

    “Ooo Glauk Konjufca. Na e dimë shumë mirë se ku po jetojmë. Kosova është shteti ynë, ne si Partia Demokratike Turke si deputet turk të Kosovës e kemi votuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe e njofim republikën e Kosovës. Ti ku ishe në atë kohë?! Ne e duam atdheun tonë dhe flamurin e Kosovës, po të pyes Glauk! A e ke marr naj here në dorë flamurin e Republikës së Kosovës…”, thotë Lopar.

    Në seancën e djeshme të kuvendit, deputeti i grupit 6+ Fikrim Damka ka kërkuar përgjigje se pse është kërkuar kjo seancë e jashtëzakonshme për diskutimin e raportit të Komisionit Hetimor për dëbimin e gjashtë shtetasve turq.

    Ai tha se kjo seancë ka prapavijë dhe qëllime jo të mira, pasi sipas tij tentohet dëmtimi i raporteve mes Kosovës dhe Turqisë.

    Deputeti Damka tha se raporti i përpiluar nga komisioni është fatal dhe dështim juridik, duke shtuar se grupi i deputetëve të 6+ janë kundër miratimit të raportit të komisionit.

    Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca, i cili i ka bërë thirrje deputetit Damka që të mos përdor foltoren e Kuvendit për të sulmuar raportet mes Kosovës dhe ShBA-ve.

    Po ashtu, ai i ka bërë thirrje që të bëjë dallimin se është duke folur në Kuvendin e Kosovës dhe jo atë të Turqisë.
    “E para, z.Damka këtu nuk je në Parlament të Turqisë, por je në Parlamentin e Kosovës, ky dallim është elementar për ta bërë kur të dalsh aty në foltore. E dyta, ne të ftojmë të gjithë si deputet të Kosovës mos me e keqpërdorë foltoren për të sulmuar një raport shumë të rëndësishëm mes Republikës së Kosovës dhe ShBA-ve. E treta, unë e thash në hyrje të fjalimit tim, raportet me Turqinë i shohim nga prizmi i barazisë, i reciprocitetit dhe interesave të dyanshme”.

    “Kurse kjo që ka ndodhur me deportimin e shtetasve turq është raport i vasalitetit dhe i nënshtrimit, kur ti i nënshtrohesh plotësisht urdhrave të një shteti tjetër. Kështu nuk duhet të ndërtohen raportet mes Kosovës dhe Turqisë, ky është raport i pabarazisë dhe i nënshtrimit dhe është turp nëse ti i kontribuon atij raporti të nënshtrimit dhe të vasalitetit”, kishte thënë Konjufca.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!