×
  • Lajme
  • Lajme / E FUNDIT

    Bastisja në Ministrinë e Pecit, Prokuroria Speciale: Zyrtarët e kësaj ministrie dyshohen për tri vepra penale

    Reporteri
    20 Mars 2025 | 15:03

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar bastisjen e kryer sot nga Krimet Ekonomike në Ministrinë e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

    Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, Prokuroria Speciale konfirmon se bastisja është kryer pas dyshimeve lidhur me renovimin e objektit që shfrytëzonte më parë AAK-ja, me seli në Ulpianë, e që tani është nën menaxhimin e kësaj Ministrie.

    Tutje në përgjigjen e Prokurorisë thuhe se zyrtarët e kësaj ministrie dyshohen për tri vepra penale: “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

    “Ju informoj se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në mbështetje të nenit 83 par. 1 të Kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, me qëllim të verifikimit të pretendimeve apo dyshimeve të ngritura në opinionin publik për veprimet e disa zyrtarëve publik të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, lidhur me renovimin e objektit që e shfrytëzonte AAK-ja, tani nën menaxhimin e Ministrisë, ka autorizuar Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Prishtinë, që të kryejë veprime hetimore në mbledhjen dhe sigurimin e provave për sqarimin e rrethanave të çështjes.

    “Zytarët publik të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dyshohen se me veprimet e tyre kanë kryer veprat penale: “ Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, nga neni 414, të KPRK-së; “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, nga neni 415, të KPRK-së dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390, të KPRK-së”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale për Reporteri.net.

    Nga bastisja e sotme, përfundoi në polici për të dhënë deklaratë, Bedri Dobra, menaxher i kontratës për largimin e këtyre mobilieve.

    Dobra në këtë institucion që drejtohet nga Ministri Faton Peci, mban edhe pozitën e U.D. Shef i Divizionit për Përkrahje Direkte, Politika Tregtare dhe Tregje.

    Krahas këtyre, si një punëtor të dalluar, e kishte vlerësuar Dobrën vet i pari i kësaj Ministrie, Faton Peci. Më 31 dhjetor 2024, Bedri Dobra që sot u shoqëruar në Polici nga Krimet Ekonomike, kishte marrë një mirënjohje si”Punëtori i Vitit”.

    /Reporteri.net/

    Bastisja në Ministri të Bujqësisë, menaxheri i kontratës për objektin e AAK-së u shoqërua për deklaratë në Polici

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!