×
  • Lajme
  • Lajme / Presidenti shqiptar

    Begaj inkurajon njohjen e Kosovës nga Zambia

    Reporteri
    26 Korrik 2024 | 15:23

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në një takim Ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Republikës së Zambias, jo rezidente në Shqipëri, Patricia Chisanga Kondolo.

    Kreu i Shtetit e përgëzoi Patricia Chisanga Kondolo për detyrën e re, duke i uruar suksese gjatë ushtrimit të këtij mandati.

    Gjatë bisedës u trajtuan çështje të bashkëpunimit dypalësh, si edhe rëndësia e bashkëpunimit në kuadër të organizatave ndërkombëtare.

    Presidenti Begaj theksoi nevojën e afrimit midis dy vendeve në fusha me interes të ndërsjellë, si edhe krijimin e një baze bashkëpunimi në fushat ekonomike dhe kulturore.

    Në këtë drejtim u vlerësua rëndësia e shkëmbimit të vizitave në nivele të ndryshme, nxitja e dialogut politiko-diplomatik dhe shfrytëzimi i potencialit për veprimtaritë e forumeve ndërkombëtare.

    Presidenti Begaj inkurajoi njohjen e Kosovës nga Zambia si kontribut në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Në mungesë të njohjes zyrtare, Presidenti Begaj sugjeroi gjetjen e mënyrave të bashkëpunimit, siç është njohja e dokumenteve të udhëtimit apo realizimi i vizitave dhe promovimi i kontakteve të biznesit mes dy vendeve./Atsh

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!