Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar letër Presidentes së vendit, Vjosa Osmani, me rastin e 15-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Përmes kësaj letreje, Biden ka uruar Osmanin për përvjetorin e pavarësisë, dhe ka folur edhe për propozimin evropian për normalizim të raporteve me Serbinë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Biden ka mirëpritur vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin evropian, i cili, sipas tij, ka qëllim eventual njohjen e ndërsjellë mes të dy palëve. Ai tha se ShBA e mbështet Kosovën në këtë proces.
“Ne mirëpresim miratimin tuaj të propozimit të BE-së për normalizimin, me qëllimin eventual të njohjes reciproke, e cila do të ndihmonte në sigurimin e një të ardhmeje më paqësore dhe më prosperuese për popullin e Kosovës dhe Serbisë”, thuhet ndër të tjera në urimin e presidentit amerikan drejtuar homologes Vjosa Osmani. /Reporteri.net/.
Më poshtë letra e plotë e Presidentit amerikan, Joe Biden, drejtuar Presidentes Vjosa Osmani:
E nderuara Zonja Presidente,
Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ua dërgoj urimet tona më të mira juve dhe popullit të Kosovës teksa kremtoni 15-vjetorin e pavarësisë së vendit tuaj.
Gjatë disa viteve të fundit, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë forcuar institucionet demokratike për të ofruar në mënyrë të barabartë dhe efektive qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësi për qytetarët në të dy vendet tona. Së bashku, ne kemi mbrojtur vlerat tona të përbashkëta, duke përfshirë mbështetjen e popullit të Ukrainës ndërsa ata mbrojnë veten kundër agresionit të padrejtë dhe të paprovokuar të Rusisë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike dhe Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne mirëpresim miratimin tuaj të propozimit të BE-së për normalizimin, me qëllimin eventual të njohjes reciproke, e cila do të ndihmonte në sigurimin e një të ardhmeje më paqësore dhe më prosperuese për popullin e Kosovës dhe Serbisë.
Në vitin e ardhshëm – ndërsa Kosova vazhdon të zhvillohet dhe të përparojë si një vend multietnik, sovran dhe i pavarur – mezi pres të forcojmë partneritetin tonë dhe të thellojmë edhe më tej miqësinë tonë.
Sinqerisht,
Joseph R. Biden Jr.