×
  • Lajme
  • Lajme

    Blerim Devolli intervistohet për Telekomin në seancë të hapur, refuzohet kërkesa e tij që ajo të mbyllet

    Reporteri
    21 Qershor 2019 | 11:36

    Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala ka nisur punën me pikën e rendit të ditës, intervistimin e Blerim Devollit, pronar i “Dardafon”.


    Me tetë vota pro dhe një kundër, ky Komision ka vendosur që intervistimi i Blerim Devollit të bëhet në seancë të hapur, pavarësisht kërkesës së tij që ajo të jetë e mbyllur.

    Në fillim, Devolli ka kërkuar që intervistimi i tij të jetë i mbyllur për publikun për “shkak të çështjeve afariste”.

    Kontrata e “Z Mobile” të Devollit me Telekomin konsiderohet si e dëmshme dhe një nga arsyet që ka sjellë para falimentimit ndërmarrjen publike.

    Mirëpo, paraprakisht deputetët po e pyesin se përse po kërkon seancë të mbyllur.

    Deputeti i LDK-së, Haxhi Arifi, ka thënë se për shkak të publikut, është e rëndësishme që të mbahet e hapur mbledhja.

    “Duhet t’ia sqarojmë publikut gjithçka që ka ndodhur rreth çështjes me Z-Mobile dhe Telekomin”, ka thënë Arifi.

    Ndërkaq, deputeti Milaim Zeka, ka thënë se është e drejtë e dëshmitarit që të kërkojë mbylljen e mbledhjes për media.

    “Jam shume i bindur që 80% të informacioneve Devolli do t’i heshtë nëse seanca është e hapur”, ka thënë Zeka.

    Megjithatë, kryetari i Komisionit, Visar Ymeri, ka thënë se është kundër qe seanca të mbyllet. “Janë çështje të rëndësishme që duhen sqaruar”, ka thënë Ymeri.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!