×
  • Lajme
  • Botë

    Amerika e gjuan raketë udhëheqësit të Al-Qaedas

    Reporteri
    31 Janar 2020 | 23:03

    Shtetet e Bashkuara kanë kryer një sulm ajror, që ka pasur në shënjestër Qassim Al-Rimin, udhëheqësin e Al-Qaeda’s në Gadishullin Arab (AQAP), degën e grupit terrorist në Jemen, që vazhdimisht ka shprehur interesim për të kryer sulme kundër Amerikës.


    Lajmin e ka bërë të ditur një zyrtar amerikan, në kushte anonimiteti, teksa ka folur për CNN.

    I pyetur për të konfirmuar lajmin, Pentagoni nuk ka pranuar të japë asnjë detaj rreth rastit.

    “Përderisa jemi të njoftuar për raportime për vdekjen e udhëheqësit të AQAP, Qassim Al-Rimi, Departamenti i Mbrojtjes nuk ka asgjë për të thënë rreth kësaj çështjeje”, ka deklaruar një zyrtar i Mbrojtjes për CNN.

    Qeveria amerikane, nëpërmjet programit të saj Shpërblime për Drejtësi, ka ofruar 10 milionë dollarë shpërblim për informata rreth udhëheqësit të Al-Qaedas.

    Zyrtarët po vazhdojnë të hetojnë nëse Al-Rimi është vrarë nga sulmi ajror, nëpërmjet një varg metodash, përfshirë monitorimin e rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të komunikimit, rreth bisedave për vdekjen e mundshme të tij.

    Agjencia Qendrore amerikane e Inteligjencës, e njohur si CIA, nuk ka pranuar të flasë rreth raportimeve për sulmin ndaj terroristit.

    Shumë ekspertë e kanë konsideruar AQAP’in në mesin e degëve më të rrezikshme të Al-Qaedas, nëse jo më të rrezikshmen, që nga formimi i saj më 2009.

    Al-Rimi ishte bërë udhëheqës i grupit terrorist, pasi një sulm me dron më 2005 e kishte vrarë shefin e atëhershëm, Nasir al-Wuhayshi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!