×
  • Lajme
  • Botë

    Përballja e fundit elektorale mes Macron dhe Le Pen përpara zgjedhjeve presidenciale

    Reporteri
    18 Qershor 2021 | 19:31

    Ditën e dielë francezët janë thirrur në kutitë e votimit për zgjedhjet lokale, në përballjen e fundit mes presidentit Emmanuel Macron dhe lideres së ekstremit të djathtë Marine Le Pen përpara përplasjes presidenciale të vitit tjetër që mund të shkundë themelet e status-quo në Europë.


    Megjithë rëndësinë që kanë këto zgjedhje për të matur humoret elektorale të francezëve në prag të zgjedhjeve të para, ku Le Pen matematikisht ka mundësinë e fitores së presidencës, zgjedhësit duket se janë pak të interesuar dhe sipas sondazheve të bëra pritet që pjesëmarrja të jetë shumë e ulët, ndoshta edhe më e ulëta në historinë moderne të vendit.

    Heqja e masave anti-COVID, temperaturat e larta dhe “mbingopja” me debate politike duket se do të rrisë në shifra alarmante nivelin e abstenimit, diçka që pritet të dëmtojë partitë e moderuara dhe t’i japë një avantazh Le Pen që ndonëse nuk gëzon mbështetje masive ka votues më besnikë dhe aktivistë më radikalë dhe të motivuar për të shkuar në kutitë e votimit.

    “Pjesëmarrja mund t’i krijojë probleme Macron. Votuesit e tij janë më pak të mobilizuar dhe të motivuar se konservatorët dhe e djathta ka votues më të vjetër, që përgjithësisht marrin pjesë më tepër në zgjedhje”- ka thënë Bruno Jeanbart i kompanisë së sondazheve “OpinionWay”.

    “Kur dolëm për fushatë në rrugë, disa njerëz as nuk e dinin që kishim zgjedhje. Po bëjmë gjithçka që mundesi, por është evidente që ka shumë pak interes”- ka thënë aktivisti i “En Marche”, Roland Lescure për POLITICO EU.

    Parashikohet se pjesëmarrja do të jetë vetëm 40%, në një kohë që për herë të parë në sondazhet presidenciale Le Pen gëzon më shumë popullaritet se Macron.

    Përballja e fundit elektorale mes Macron dhe Le Pen përpara zgjedhjeve

    Për të rritur shanset e një performance të mirë, Macron ka kandiduar 5 ministra të qeverisë së tij në zgjedhjet lokale dhe e ka fokusuar fushatën në zonat ku historikisht e djathta ka performuar mirë si në zonën e Hauts-de-France.

    Në rast se Le Pen do të fitonte qoftë edhe një grusht bashkish do të ishte një legjitimim i partisë që historikisht ka operuar jashtë sistemit dhe nuk ka pasur akses në vendimmarrje dhe mbi të gjitha do të ishte një “provë” se ajo mund të fitojë, çka do t’i jepte një revansh psikologjik për përballjen presidenciale të vitit 2022, për të cilën Le Pen ka nisur fushatën që të nesërmen e humbjes së zgjedhjeve në 2017-n.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!