Gjatë ditës kryetari i dorëhequr i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka bërë të qartë se partia e tij nuk do t’ia bëj kuorumin në Kuvend Vjosa Osmanit. Ai ka thënë se LDK nuk do të qëndroj në sallë ditën kur Osmani do të votohet për presidente të Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Sipas Mustafës ish-anëtarja e LDK-së nuk është përsoni i duhur për të qenë President i Kosovoës.
“LDK-ja nuk do të rrijë në sallë, Osmani nuk është personi i duhur për president. Ne si LDK e kemi kandiduar për kryeministre në zgjedhjet e kaluara, ajo ishte një femër e zonja dhe e zgjuara, ajo ka dal kundër LDK-së dhe kurdo që i bie pishman ajo mund të kthehet. Vjosa e ka parë që është gabim që është larguar nga LDK-ja”, ka thënë Mustafa.
E Reporteri.net ka kontaktuar disa nga figurat më të njohura të LDK-së për të pyetur në lidhje me qëndrimin në seancë kur pritet të votohet Osmani, e cila ishte kandidatja për presidente nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Anton Quni, Agim Veliu, Lumir Abdixhiku, Arben Gashi, Armend Zemaj, Lirije Kajtazi e Besian Mustafa kanë qenë zyrtarët e LDK-së të kontaktuar nga Reporteri.net, të cilët ishin edhe kandidatë për deputet në zgjedhjet e fundit.
Kujtojmë që në media është raportuar se të gjithë të lartëpërmendurit kanë arritur të fitojnë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet edhe në një mandat.
Të pyetur nëse do të qëndrojnë në sallë në seancën kur Osmani do të votohet për t’u bërë e para e vendit, ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Quni, Veliu, Abdixhiku, Gashi, Zemaj e Kajtazi nuk kanë treguar nëse do t’i ndihmonë dikur bashkëpartiakes për ta bërë kourumin në Kuvend.
Ata të heshtur ishin edhe në pyetjen se si do të votojnë në seancën kur Osmani do të tëntojë të zgjedhet e para e vendit.
I vetmi që ka kthyer përgjigje ishte Besian Mustafa, i cili shkurt tha se duhet të pritet nëse do të zgjedhet së pari deputet.
“Të shohim a po arrij të bëhem deputet, e pastaj flasim. Ta shohim a bëhem, pastaj të përgjigjem”, tha Mustafa për Reporteri.net.
Në zgjedhjet e fundit LDK i humbi zgjedhjet duke e radhitur partia e tretë në vend me vetëm 13% të votave.
Pas humbjes më të madhe në historinë e saj, Isa Mustafa dha dorëheqje nga drejtimi i LDK-së.
Deri më tani, Anton Quni, ish-deputet e ish-ministër i Mbrojtjes, ka qenë i vetmi që publikisht ka shpallur kandidaturën për t’u bërë kryetar i LDK-së.