Dardan Molliqaj: Sonte fitoi opozita që nuk iu nënshtrua shantazhit

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në facebook, ka komentuar zhvillimet e fundit duke thënë se sonte fitoi opozita e cila nuk iu nënshtrua shantazhit.


Ai tha se gjithashtu opozitës iu dha edhe një mësim. Atë që sipas tij, duhet të ketë konstruktivitet para autoritarizmit.

Tutje, Molliqaj tha se Osmani tashmë është shndërruar në një instrument të Kurtit dhe kjo u vërtetua sonte.

Ai gjithashtu tha se nuk ka fitore për opozitën nëse Osmani arrin të zgjedhet presidente.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Molliqajt:

Ajo që ndodhi sonte ishte fitore e opozitës. Por e një opozite që nuk iu nënshtrua shantazhit.

Ama mbi të gjitha sonte iu dha një mësim opozitës. Një mësim që konstruktiviteti para autoritarizmit i jep udhë këtij të fundit për të kapur shtetin e pushtetin, krejt dhe pa pengesa. I dha mësimin, që e paralajmëruam, që Vjosa Osmani tashmë është shndërruar në instrument të Kurtit. Sonte kjo u vërtetua me mbështetjen që ajo i dha nismës së sotme.

Prandaj votimi i mundshëm i Vjosa Osmanit, edhe me kushtin që Kurti e tërheqë ligjin, është nënshtrim brenda qëllimeve të Kurtit. Është votim që ia jep Kurtit Presidencën, në mënyrë që ta përdorë si instrument kurdo që t’i duhet.

Nuk ka as mësim e as fitore për opozitën nëse Vjosa Osmani zgjedhet presidente!