Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është intervistuar të hënën gjatë ditës nga Prokuroria Speciale për shkak të deklaratave të saj të fundit për të arratisurit nga burgjet e Kosovës, dhe ndihmën e tyre, sipas saj, nga Serbia. Intervistimi i Haxhiut, siç u bë e ditur nga Prokuroria Speciale, do të vazhdojë edhe sot.
Kjo është konfirmuar gjatë ditës së djeshme për Gazetën Online Reporteri.net nga zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi. Ajo njoftoi se Ministrja Haxhiu, përveç për deklaratën se Serbia po ndihmon arratisjen e të burgosurve kosovarë, nga Prokuroria Speciale u mor në pyetje edhe për pretendimet e saj në një debat televiziv “lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara”.
Në konfirmimin për Reporteri.net, Prokuroria Speciale njofton se intervistimi i Ministres Haxhiu do të vazhdojë edhe gjatë ditës së martë.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se me autorizim të Prokurorisë Speciale, sot është intervistuar Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, me qëllim të sqarimit të deklaratës së saj të dhënë në mediumin TV Dukagjini, në emisionin “Debat Plus’’ më datë 02 Korrik 2024, lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara, si dhe postimin e saj në rrjetin social Facebook të datës 20 Korrik 2024, lidhur arratisjet që kanë ndodhë nga burgjet e Kosovës. Intervistimi i të njëjtës për sqarim të këtyre çështjeve do të vazhdoj edhe nesër”, u tha në përgjigjen e Prokurorisë Speciale për Reporteri.net.
Ministrja Haxhiu në ditën e raportimit për vrasjen e Faton Hajrizit, doli me një deklaratë ku ngriti dyshime për vrasjen e tij, si dhe pretendonte se Serbia po organizon arratisjen e të burgosurve nga Kosova. Tha se është fakt se arratisja e disa personave të kërkuar nga institucionet në Republikën e Kosovës, po bëhet në drejtim të territorit të Serbisë, dhe informacionet sipas saj, sugjerojnë se disa arratisje janë bashkëorganizuar nga grupet kriminale atje.
“E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës”, ishte deklarata e Ministres Haxhiu.
Kjo deklaratë e saj nxiti reagime të shumta, gjë që Ministrja Haxhiu ka kërkuar mbrojte të afërt nga Policia e Kosovës. Gazeta Online Reporteri.net ekskluzivisht raportoi të hënën se Ministrja e Drejtësisë që nga dita e djeshme (22 korrik) të shoqërohet nga zyrtarët policorë, kërkesa që vjen pas deklaratave të saj të fundit. /Reporteri.net/
Reagimet për Faton Hajrizin, Albulena Haxhiu kërkon mbrojtje të afërt nga Policia e Kosovës