Në seancën fillestare të enjten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, i akuzuari Alajdin Avdullahi është deklaruar i pafajshëm për akuzën se ka keqpërdorur pozitën zyrtare dhe ka falsifikuar dokumentin zyrtar.
Në këtë rast, Alajdin Avdullahi akuzohet se në cilësinë e kryesuesit të Bordit të drejtorëve në Kompaninë Regjionale të Mbeturinave “Uniteti” në Mitrovicë, duke shfrytëzuar pozitën e tij ka furnizuar veturën private me derivate në pikat furnizuese të kompanisë KRM “Uniteti” dhe se ka falsifikuar procesverbalin e mbledhjes së Bordit se kinse është aprovuar kërkesa që mund ta furnizojë veturën private me derivate në pikat furnizuese të kompanisë, në mungesë të veturës zyrtare.
Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Sahit Tmava, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, të akuzuarit nga gjykatësi i rastit Avni Mehmeti iu lexuan të drejtat e tij, pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë në shqyrtimin fillestar.
Pasi i akuzuari u deklarua i pafajshëm, gjykatësi Mehmeti e njoftoi se në afat prej 30 ditësh ka të drejtë të paraqes kundërshtimin e provave të caktuara në aktakuzë apo të kërkesë për hudhjen e aktakuzës.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 maj 2024, Alajdin Avdullahi akuzohet se nga 15 marsi 2019, në pozitën e kryesuesit të Bordit të drejtorëve në Kompaninë Regjionale të Mbeturinave (KRM) “Uniteti”, në Mitrovicë, duke shfrytëzuar pozitën e tij dhe duke tejkaluar autorizimet e tij, pa një vendim paraprak të Bordit, ka furnizuar automjetin e tij privat “Golf 5” me derivate në pikat furnizuese të kompanisë KRM “Uniteti”, deri më 2 shtator 2019.
Në aktakuzë thuhet se i njëjti pastaj nga po e njëjta datë në mënyrë të kundërligjshme, pa shqyrtim dhe votim nga ana e anëtarëve të Bordit të drejtorëve, ka furnizuar automjetin e tij privat deri më 24 qershor 2020 në gjithsej 2656.48 litra, duke i shkaktuar dëm kompanisë në vlerë prej 2 mijë e 633 euro e 58 centë.
Me këto veprime, sipas aktakuzës i akuzuari Avdullahi ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Në pikën e dytë të aktakuzës, Avdullahi akuzohet se më 2 shtator 2019 ka përpiluar dokument të falsifikuar procesverbalin e mbledhjes së Bordit të drejtorëve në KRM “Uniteti”, me qëllim që ta përdorë si të vërtetë, duke konstatuar në procesverbal se nga ana e 4 anëtarëve të Bordit është aprovuar kërkesa e kryesuesit të bordit se mund ta furnizojë veturën e tij private në pikat furnizuese të derivateve të KRM “Uniteti”, në mungesë të veturës zyrtare, pa u mbajtur fare mbledhja dhe pa u vendosur në atë rend të ditës.
Me këto veprime, sipas aktakuzës i akuzuari Avdullahi ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit”, nga neni 390, paragrafi 2 të Kodit Penal.