Policia gjobiti me 288 mijë lekë – rreth 2300 euro, – dy drejtues makinash që lëviznin me shpejtësi skëterrë në rrugën Fier-Vlorë.
Makinat drejtoheshin nga persona me origjinë nga Kosova dhe rezidencë në Zvicër, të cilët nuk iu bindën as urdhrit për t’u ndaluar.
Sidoqoftë ata u ndaluan në qytetin e Vlorës nga punonjës të tjerë policie dhe u gjobitën 168 mijë lekë drejtuesi i “Lamborghini”-t dhe 120 mijë lekë drejtuesi i BMW-së.
I.B (40 vjeç) e drejtonte makinën “Lamborghini” pa targa, ndërsa M.N (36 vjeç) e ngiste makinën “BMW” pas tij ngjashëm me shpejtësi duke dhënë të mendohet se të dy po garonin bashkë.
Rruga Fier-Vlorë, e ndërtuar vitet e fundit sipas standardeve evropiane me korsi të gjera dhe trafikndarëse të larta ka si kufi shpejtësie 110 kilometrat në orë. Ajo është kthyer kohët e fundit në problem serioz pasi shumë drejtues makinash udhëtojnë me shpejtësi tej normave.
Më 25 qershor në një pjesë të kësaj rruge humbi tragjikisht jetën familja Gushi – dy prindërit Eduart e Silvana dhe vajzat Anastasia (14 vjeçe) dhe Eva (9 vjeçe).
Për shkak të kësaj tragjedie policia dhe bilancit prej 90 viktimash në 5 muaj, policia ka shtuar kontrollet ndërsa pak muaj më parë u miratua dhe ashpërsimi i Kodit Rrugor me gjoba edhe më të rënda për tejkalimin e shpejtësisë.