×
  • Lajme
  • Lajme

    Disa orë para votimit të Qeverisë, Kurti siguron edhe dy votat e deputetëve turq që e kushtëzuan me Ministri

    Reporteri
    22 Mars 2021 | 14:03

    Autor: Lira Klaiqi


    Partia Demokratike Turke e Kosovës nën udhëheqjen e Fikrim Damkës në zgjedhjet e 14 shkurtit fitoi dy deputetë në Kuvendin e Kosovës. Damka pak orë para votimit të Qeverisë Kurti 2, ka konfirmuar për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se bashkë me deputetin Fidan Jilta do ta çojnë dorën për të votuar ‘pro’ formimit të qeverisë së re.


    Ndonëse ditë më parë si kusht për ta votuar Qeverinë, Damka kishte kërkuar një ministrit, sot kur pritet votimi në Kuvend i Qeverisë Kurti 2, deputeti turk ka deklaruar votën pro saj. Por, pa treguar saktësisht se a i është dhënë ministria që e ka kërkuar.

    “Ende nuk jemi marrë vesh. Gjatë ditës do të votohet Qeveria. Nuk mund të them pa folur me kryeministrin por po Qeveria do të ketë dy votat tona”, tha Damka për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.

    Krahas Damkas, në Parlament, turqit do t’i përfaqësojë edhe Fidan Jilta.

    Ditë më parë, Damka, në një prononcim për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ tha do të kërkojnë një ministri nga Albin Kurti, si kusht për votimin e qeverisë së re.

    Në zgjedhjet e 14 shkurtit, partia që e udhëheqë Damka, mori gati 6 mijë e 500 vota duke dalë partia e parë e komunitetit turk që jeton në Kosovë.

    ‘‘Ne gjithmonë e kemi pasur një ministër në Qeveri dhe presim ta kemi përsëri një ministër. Nuk do të hyjmë në koalicion nëse nuk do ta kemi një ministër në Qeveri’’, pati thënë Damka për Reporteri.net.

    Ai kishte këkruar që krahas postit të ministrit presin të përfaqësohen edhe në nivele të tjera qeveritare.

    Kujtojmë se që nga 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë, turqit janë përfaqësuar vazhdimisht me nga një ministër në qeveritë e vendit.

    Për më shumë se 10 vite, Mahir Yagcilar ishte pjesë e qeverisë si ministër i Pushtetit Lokal, Administratës Publike e asaj të Ambientit.

    Edhe në Qeverinë e Hotit pjesë e kabinetit nga KDTP ishte Enis Kervan, Ministër i Zhvillimit Rajonal.

    Por tradita e përfaqësimit të turqve në Qeveri u ndërpre shkurtimisht në kohën kur ekzekutivin e udhëhiqte Kurti. Kjo pasi në Qeverinë 50 ditëshe të kryetarit të LVV-së, turqit nuk u përfaqësuan në nivelin e ministrit.

    Ndryshe, sot është konstituuar Kuvendi i Kosovës. Me 69 pro, Glauk Konjufca është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës. Kjo i ka hapur rrugë krijimit të Qeverisë.

    Votimi i Qeverisës Kurti 2 pritet të bëhet sot në ora 16:00. Me votat e dy deputetëve turq, Lëvizjes Vetëvendosje i konfirmohen 65 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që janë deklaruar ta mbështesin partinë e Kurtit për ta krijuar Qeverinë e re. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!