×
  • Lajme
  • Lajme / Flet Veton Elshani

    “Donin të bënin disa fotografi”, Policia mohon se KFOR-i u ka kërkuar që ta largojnë veturën zyrtare nga Ura e Ibrit

    Reporteri
    04 Shtator 2024 | 14:36

    Lidhur me raportimet se KFOR-i i ka kërkuar një zyrtari të Policisë së Kosovës ta largojë veturën nga Ura mbi lumin Ibër, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani e ka mohuar një gjë të tillë.

    Për Gazetën Online Reporteri.net, Elshani ka thënë se ushtari italian i ka kërkuar zyrtarit policor që të largohen pak vetëm sa të bënin disa fotografi

    “Ushtari italian ka kërkuar që të largohen për pak, sa të bënte disa fotografi të karabinierëve gjatë operacionit që kishin në Urën e Ibrit. Ata i kanë thënë se s’ka problem, dhe e kan larguar fare”, tha Elshani për Reporteri.net.

    E pikërisht për forcat e shtuara sërish të KFOR-it sot, në Urën mbi lumin Ibër, nga KFOR-i kanë thënë për Gazetën Online Reporteri.net se një gjë e tillë është pjesë e trajnimit.

    KFOR thotë se asetet dhe personeli shtesë nga Njësia e Specializuar Shumëkombëshe e KFOR-it (MSU) janë duke u vendosur përkohësisht në urën kryesore mbi lumin Ibër, në Mitrovicë dhe kjo sipas KFOR-it është pjesë e trajnimit periodik që misioni paqeruajtës i kryen për të testuar procedurat e tij të vjetra dhe për të mbrojtur standardet më të larta operacionale.

    “Asetet dhe personeli shtesë nga Njësia e Specializuar Shumëkombëshe e KFOR-it (NJMS) janë duke u vendosur përkohësisht në urën kryesore mbi lumin Ibër, në Mitrovicë. Kjo është pjesë e trajnimit periodik që KFOR-i kryen për të testuar procedurat e tij të vjetra dhe për të mbrojtur standardet më të larta operacionale. KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër, në Mitrovicë, dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e KFOR-it për Reporteri.net.

    /Reporteri.net/

    KFOR-i flet për praninë e shtuar sot mbi Urën e Ibrit, thotë se është pjesë e një trajnimi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!