×
  • Lajme
  • Lajme

    Dua Lipa ka fansa në Bruksel, a do ta dëgjojnë ata thirrjen e saj për liberalizimin e vizave për Kosovën

    Reporteri
    05 Gusht 2022 | 19:28

    Dua Lipa ka shfrytëzuar platformën e saj me mbi 85 milionë ndjekës në rrjete sociale për të ngritur çështjen e regjimit të vizave për bashkëkombasit e saj. Këngëtarja me renome botërore ka shpërndarë moton “Set me free” që nënkupton “Më lër të lirë” si apel për BE-në që t’i liberalizojë vizat për Kosovën. Dua Lipa po i bënë jehonë kësaj kërkese të vjetër të kosovarëve kur lidershipi kosovar e ka “pushuar”, për shkak se në Bruksel muajve të verës s’merret askush me këtë. Por, Presidenca çeke ka thënë se i ka priroritet vizat për Kosovën në një kohë kur në Bruksel është rritur disponimi pro. Mbetet të shihet se a do ta dëgjojnë vendet anëtare zërin e tyre.

    Festivali “Sunny Hill” që po mbahet në Prishtinë, ka marrë përmasa ndërkombëtare edhe për shkak të pop yllit botëror me origjinë nga Kosova, Dua Lipa e cila solli në kryeqytetin kosovar disa prej këngëtarëve më të famshëm në botë.

    Këtë vëmendje përtej kufijve e shfrytëzoi Dua Lipa dhe fondacioni “Sunny Hill” duke bërë thirrje për liberalizimin e vizave me moton “Më lër të lirë” moto kjo e vendosur edhe në shiritat e pjesëmarrësve të festivalit.

    “Përderisa BE-ja vendos kufij rreth lirisë sonë, ne do ta mbajmë të gjallë dhe të lirë imagjinatën tonë”, thuhet në një postim të festivalit “Sunny Hill” në Facebook.

    Megjithëse një eveniment kulturor, ndikimi i madh i këngëtares Dua Lipa dhe festivalit Sunny Hill me thirrjet për liberalizim të vizave po shihet se shtytje përpara e çështjes së vizave.

    E dy nga liderët e BE-së që drejtojnë dy institucionet përgjegjëse për liberalizimin e vizave për kosovarët, Presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen dhe presidentin e Këshillit të BE-së, Charles Michel bashkë edhe me presidentin francez Emmanuel Macron ishin ftuar gjatë samitit të BE-së në Bruksel nga presidentja e vendit Vjosa Osmani që të marrin pjesë në festivalin “Sunny Hill”.

    Në vitin 2021, në një aktivitet në SHBA, Shefja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen e kishte takuar pop artisten kosovare duke i shfaqur simpatinë për muzikën dhe energjinë e saj. “Dua t’i ke një impakt aq të madh në botë” kishte shkruar gjermania që mban pozitë të lartë në BE dhe që është në favor të heqjes së vizave.


    Kur Osmani shkoi në qershor në Bruksel, Von Der Leyen sikur një fanse ia përmendi përsëri Lipën. Osmani menjëherë asaj i bëri ftesë përfshirë edhe Presidentit Macron, deri tash, hezituesit numër 1 ose 2 në BE.

    “Dua është mirë dhe shpresojmë t’iu kemi në kohën e Sunny Hill Festival që do zhvillohet në Kosovë ku [Dua] po sjell një line-up të mirë.”, tha Osmani.

    Në takimin dy ditor (23-24 qershor) të liderëve të 27 vendeve të BE-së në Bruksel, s’ka pasur asnjë rezultat konkret sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Kosovarët u zhgënjyen edhe njëherë, për të vazhduar pritjet e pafundme para ambasadave.

    Këshilli i BE-së që u mblodh në dy ditët e qershorit, kishte publikuar konkluzionet përfundimtare nga takimi, kurse heqja e vizave s’përmendet askund.

    Krejt çka thuhej për Kosovën në këtë dokument është urgjenca që Kosova dhe Serbia të bëjnë progres në normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut.

    Franca ka udhëhequr presidencën e Këshillit të BE-së nga 1 janari 2022 dhe e ka përfunduar më 30 qershor 2022.

    Nga 1 korriku, atë e drejton Çekia deri në përfundimin e vitit 2022.

    Ambasadori i Republikës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bílek ka deklaruar se liberalizimi i vizave për Kosovën është në agjendën kryesore të Presidencës çeke.

    “Ne vërtetë shpresojmë për përparim të mëtejmë të këtij procesi. Liberalizimi i vizave për Kosovën është në agjendën kryesore të Presidencës Çeke dhe jemi të gatshëm që të nisim debat në të gjitha organizmat punues të Këshillit të BE-së. Megjithatë, dua që të ju rikujtoj, se vendimi për këtë është në dorën e vendeve anëtare. Por ende e shoh një rol të rëndësishëm për liderët e Kosovës. Ata duhet të vazhdojnë të bisedojnë me vendet anëtare në lidhje me dyshimet e tyre dhe të sjellin argumente konkrete në mënyrë që t’i bindin ata” kishtë thënë ai.

    Takimi tjetër i 27 liderëve të unionit sipas kalendarit të Këshillit të BE-së do të zhvillohet më 20 dhe 21 tetor 2022.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!