Shtetasi i Kosovës, Liridon Rexhepi, u arrestua të martën në Stamboll, nën dyshimin se ka menaxhuar rrjetin financiar të Mossadit në Turqi.
Lidhur me arrestimin e tij, gazeta online Reporteri.net, ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për të kuptuar nëse ka detaje të reja përveç atyre që dihen deri më tani, me ç’rast, në përgjigjen e tyre, thuhet se njoftimin për arrestimin e tij, e kanë marrë përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Ankara.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Ankara, ka marrë njoftim nga autoritetet turke për arrestimin e një shtetasi kosovar në Turqi”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për Reporteri.net.
Se a janë ende në kontakt me autoritetet atje edhe pas arrestimit të Rexhepit, në përgjigjen e MPJD-së, thuhet se Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Stamboll, po vazhdon kontaktin me autoritetet kompentente në Turqi.
“Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Stamboll është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet turke lidhur me këtë rast. Në lidhje me informacione të reja do t’iu mbajmë të informuar”, thuhet në përfundim të përgjigjes.
Sipas agjencisë shtetërore turke të lajmeve, Anadolu Agency, Rexhepi u arrestua nga Departamenti i Antiterrorit në Stamboll.
Po ashtu, kosovari dyshohet se ka transferuar para për personelin e terrenit në Turqi, që përpilonin informacione lidhur me Sirinë.
Sipas raportimeve, Rexhepi u transferonte para agjentëve në terren në Turqi, të cilët kryenin xhirime me dron, operacione psikologjike kundër politikanëve palestinezë dhe grumbullonin informacione për fushën siriane, nën udhëzimet e Shërbimit Informativ të Izraelit.
/Reporteri.net/