×
  • Lajme
  • Lajme

    E FUNDIT: 25 gra e fëmijë shqiptarë ikin nga kampet siriane pas sulmit të Turqisë

    Reporteri
    16 Tetor 2019 | 13:20

    Rreth 25 gra dhe fëmijë shqiptarë, familjarë të pjesëtarëve të ISIS, janë arratisur nga kampet e siriane ku po mbaheshin prej muajsh, pasi që Turqia dërgoi trupat ushtarake në Siri.


    Arratisja ka ndodhur para katër ditësh, nga tri kampe të ndara në veri të Sirisë, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”. Në mesin e tyre ka pasur edhe kosovarë që kanë ikur.

    Informacionet për këtë rast tashmë kanë arritur edhe në Kosovë, me të cilin rast kanë konfirmuar se janë njoftuar edhe një organizatë që merret me riatdhesimin e luftëtarëve nga Kosova të ISIS-it.

    Bedri Elezi, drejtor i studimeve të sigurisë në Institutin për Studime Ndërkombëtare në Kosovë, i cili ka ndihmuar në riatdhesimin e luftëtarëve shqiptarë nga zona e konfliktit në Siri, ka treguar për Reporteri.net se edhe ata kanë pranuar informacionin se rreth 25 gra dhe fëmijë janë arratisur nga kampet Al-Haël, Al-Roj dhe Ein Issa të Sirisë veriore.

    “Për momentin ata janë në kufi me Turqinë, duke shpresuar të kalojnë dhe të vijnë në shtëpi”, tha Elezi.

    Gazeta Online “Reporteri.net” ka siguruar edhe një xhirim amator që tregon një moment të arratisjes së një grupi kosovarësh nga kampi “Ein Issa”, që ndodhi të dielën. Në këto pamje, shihen persona që ikin me vrap sapo hapet dera e kampit ku po qëndronin prej kohësh.

    Nga ana tjetër, Bedri Elezi sugjeron se pas situatës së krijuar, Qeveria e Kosovës duhet të kontaktojë me shtetin turk që të ndihmojë në kthimin e këtyre qytetarëve në Kosovë.

    “Qeveria e Kosovës duhet të qëndrojë në kontakt me atë të Turqisë dhe t’i kthejë ata. Rreziku nga kjo është më i vogël krahasuar me atë që këto gra dhe fëmijë mund të kthehen përsëri në ISIS”, shtoi ai

    Kujtojmë se para ndërhyrjes së trupave ushtarake turke dy javë më parë, është raportuar për më shumë se 50 gra dhe fëmijë nga Kosova dhe rreth 52 fëmijë tjerë nga Shqipëria, se jenë duke jetuar në kampet siriane për muaj të tërë.

    Gratë dhe fëmijët nga Kosova ishin duke qëndruar në tre kampet e ndryshme, Al-Roj, Al-Haël dhe Ein Issa, që ndodhen në veri të Sirisë. Më saktësisht, këto kampe ndodhen në zonën afër vendit të quajtur “Qamishli” në kufi me Turqinë dhe Sirinë./Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!