Policia e Kosovës ka konfirmuar se në veri të vendit, konkretisht në Banjska të Zveçanit ku të shtënat po vazhdojnë është vrarë një nga sulmuesit serbë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Njësitet policore konform situatës dhe rrezikut të shfaqur nga sulmet sporadike të grupeve kriminale, në vetëmbrojtje të tyre dhe të qytetarëve të asaj zone, janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen grupeve kriminale, ku referuar informacioneve të deritanishme, një nga
sulmuesit është vrarë”, bëhet e ditur në komunikatën e lëshuar nga Policia e Kosovës.
Policia potencon se situata në veri të vendit vazhdon të jetë e tensionuar.
“Grupet kriminale kohë pas kohe po sulmojnë me armë zjarri njësitet policore në teren, të cilat edhe përkundër sulmeve ndaj tyre po vazhdojnë angazhimin duke krijuar perimetër të sigurisë, në interes të qetësimit të situatës, ofrimit të sigurisë dhe sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka njoftuar se pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak mbeten të mbyllura, teksa ka kërkuar nga sulmuesit që të dorëzohen para organeve të rendit.
“Sulmuesit profesional në numër të konsiderueshëm, të maskuar e të uniformuar me uniforma të ndryshme, të armatosur me armë të rënda, granata, mjete ushtarake (zolla), disa mjete të blinduara, po shfrytëzojnë hapësira dhe objekte të ndryshme, private, përfshirë në dhe përreth
manastirit në Banjska, për të kryer lëvizje, strehim dhe pozicionim për gjuajtje me armë zjarri ndaj
njësiteve policore të PK-së.
Referuar situatës dhe rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës për shkaqe sigurie ka mbyllur për qarkullim kufitar dy vendkalimet kufitare në veri (Jarinje dhe Bërnjak), andaj fton të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim si dhe të shmangun daljet dhe
lëvizjet e tyre në atë rajon/zonë.
Bashkëpunimi dhe koordinimi i Policisë së Kosovës me institucionet kompetente vendore dhe ndërkombëtare po vazhdon, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së kryerësve të sulmeve të vazhdueshme ndaj zyrtarëve policorë dhe njëherit fton ata që të dorëzohen para organeve të rendit”, bëhet e ditur në komunikatën e Policisë së Kosovë. /Reporteri.net/