×
  • Lajme
  • Lajme

    Edhe kundërkandidati i Vjosa Osmanit për President ka qenë në LDK, e braktisi në vitin 2007

    Reporteri
    02 Prill 2021 | 15:58

    Nasuf Bejta, ish-kandidati për deputetet që po e ‘sfidon’ Vjosa Osmanin për pozitën e shefit të shtetit, deri në vitin 2007, gjithashtu, kishte qenë anëtar i LDK-së.


    Bejta, një inxhinier nga Vushtrria, me përvojë në arsim, në zgjedhjet e fundit iu bashkua listës ‘Guxo’ të Vjosa Osmanit, gjithashtu një ish-anëtare dhe figurë e LDK-së, që u përjashtua nga organet e partisë vitin e shkuar, shkruan Reporteri.net. Rrjedhimisht, të dy garuan në një listë zgjedhore me Vetëvendosjen e Kryeministrit Albin Kurti, që fitoi mbi 50% të votave të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021.

    Në biografinë e kandidati për President, të publikuar tek hapësira e kandidatëve për deputetë, në faqen zyrtare të LVV-së, shkruan se Bejta “është njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe kryetar i kuvendit të nëndegës Smrekonicë, anëtar i kryesisë qendrore nga dega në Vushtrri në dy mandate, deri në vitin 2007”.

    Tutje, aty pretendohet se ai “dha dorëheqje të parevokueshme për shkak të konfrontimeve dhe politikave që po e dëmtonin Kosovën”.

    Nasuf Bejta u bë lajm sot pasi njoftoi se do ta kundërkandidojë shefen e tij të listës ‘Guxo’ për postin e presidentes, shkruan Reporteri.net. Madje, tregoi se para se ta bëjë këtë veprim, bisedoi me Vjosa Osmanin, për ta pyetur nëse i mbetet hatri për kandidaturën e tij për shef të shtetit.

    Ndërkohë, ende mbetet e pa qartë nëse seanca për votimin e Presidentit të ri të Kosovës do të mbahet sot. Përkundër paralajmërimeve se sot të mbahet votimi, dhe mbledhje së nënshkrimeve, LVV-ja ka njoftuar se fillimisht sot në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit do të votohen ndryshimet e Ligjit për Zgjedhjet, të iniciuara nga partia e Kryeministrit Kurti, e më pastaj të vazhdohet me procedurat për zgjedhjen e presidentit. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!