Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, dje përmes postimeve në Facebook pohuan se vendi ynë ka shënuar rritje ekonomike edhe në tre mujorin e dytë të këtij viti.
Kryeministri Kurti tha se mbështetja për bizneset dhe prodhuesit vendorë e ka vlerësuar ndër shtyllat e zhvillimit, shkruan Reporteri.net
“Rritja ekonomike e qëndrueshme po vazhdon edhe në tre mujorin e dytë të vitit, madje përtej projeksioneve fillestare. Masat tona të punësimit, mbështetja për bizneset dhe prodhuesit vendorë, qeverisja e mirë dhe stabiliteti institucional janë shtyllat tona të zhvillimit”, ka shkruar Kurti.
Kurse, ministri Murati, tha se ekonomia e vendit “ka vazhduar rritjen edhe në tremujorin e dytë të këtij viti me 4.27% në terma realë sipas ASK-së”. Ai tha se ka performuar dukshëm mbi projeksionet për rritje prej 3.8%-3.9%.
“Ekonomia vazhdon rritjen me 4.27% edhe në tremujorin e dytë të 2024. Pas rritjes së theksuar në tremujorin e parë me 5.62%, ekonomia e vendit ka vazhduar rritjen edhe në tremujorin e dytë të këtij viti me 4.27% në terma realë sipas ASK-së, duke performuar dukshëm mbi projeksionet për rritje prej 3.8%-3.9%.
Pas ngadalësimit dhe uljes së inflacionit tani në nivelin prej nën 2%, aq sa është edhe synimi i Bankës Qendrore Evropiane, bizneset dhe ekonomia e vendit po kthehen në trajektoren e rritjes më të shpejtë, aty ku edhe nisëm pas pandemisë. Ky është sinjal që politikat e qeverisë sonë për mbështetje të bujqve, për mbështetje të bizneseve prodhuese, dhe masave mbështetëse të punësimit po funksionojnë. Vazhdojmë!”, deklaroi Murati.
Por ndaj deklarimeve të kryeministrit e ministrit të Financave kanë reaguar zyrtarë të partisë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës duke i qaujtur si jo të sakta të dhënat e prezantuara nga krerët e shtetit.
Ish-ministrja e Financave nga LDK, tani deputete Hykmete Bajrami, tha se qytetarët e dinë saktë sa e kanë fuqinë blerëse dhe se kurrë s’kanë qenë më të pavlera.
“Pas demaskimit të propagandës për rritjen ekonomike për 2021-2023, krejt çka iu ka mbetë me folë është tremujori i parë, tremujori i dytë. Qytetarët i dinë çmimet dhe e dinë saktë fuqinë blerëse të pagave të tyre, që kurrë ma të pavlera s’kanë qenë”, ka shkruar ajo në Facebook.
“Pas katër viteve qeverisje, kanë mbetë me u lavdëru me një tre mujor. Mosni ashtu, se nëse matemi me nga një tremujor kur ju e keni marrë qeverisjen me 22 mars të vitit 2021 rritja ekonomike ka qënë hiç ma pak se 16.32%”, ka shkruar Bajrami në një postim tjetër në Facebook.
Kurse zyrtari tjetër i LDK-së, Berat Rukiqi, ka thënë se ndonëse ka rënie nga 5.62 nga tremujori i parë në 4.27 në tremujorin e dytë, qeveria flet për rritje të qëndrueshme ekonomike.
Rukiqi ka thënë se qytetarëve i është gërryer xhepi me rritjen e çmimeve të produkteve bazë.
“Pas gerryerjes te xhepit te qytetareve nga rritja e çmimeve (Çmimi i bukes eshte rrit per 50%, çmimi i qumështit është rrit për 38%, e ne mesatare mbi 50% per te gjitha produktet tjera ushqimire), duke mos e marre asnje mase te vetme per te zbutur krizen me çmimet dhe varferimin e qytetareve;
– kur nuk e kane realizuar asnje investim te rendesishem ne ekonomi (edhe ato qe po i bejne, po i bejne keq dhe me korrupsion, siç ishte rasti i fundit, me uren ne rrugen e Gjilanit);
– I kane humbur mbi 500 milione euro nga izolimi dhe sanksionet;
– me deficit tregtar mbi 5 miliarde euro; Dalin dhe krenohen me rritje ekonomike 0,3% mbi projeksionet
Ne gjuhen e tyre: rritje e qendrueshme nuk mund te quhet nese nga 5,62% rritje ne tremujorin e pare, bjen ne 4.27% ne tremujorin e dyte. Kjo eshte renie e qendrueshme
Fotografia e bashkangjitur eshte simboli i vetem rritjes qe e kemi me kete qeveri”, ka shkruar Rukiqi. /Reporteri.net/.