×
  • Lajme
  • Lajme / Gjykimi

    Fjala përfundimtare në rastin e vrasjes së Marigona Osmanit, Krivaqa: S’ka qenë e qëllimshme, ju kërkoj falje familjarëve

    Reporteri
    25 Korrik 2024 | 15:30

    Në fjalën përfundimtare të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i akuzuari Dardan Krivaqa tha se tani e ndjera Marigona Osmani është personi që e ka dashur dhe se vrasja e saj nuk ka qenë e qëllimshme.

    Është personi që e kam dashtë, nuk ka qenë e qëllimshme, nuk kam qenë në dijeni që do të shkaktoja kaq shumë lëndime që ajo të vdiste, unë kam dashtë me kriju familje me të. Edhe një herë, ju kërkoj falje familjarëve”, tha Krivaqa.

    Derisa Krivaqa po deklarohej, babai i tani të ndjerës u largua nga salla e gjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Në këtë seancë, u dha fjala përfundimtare nga të gjitha palët në procedurë.

    Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

    Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

    18 vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

    Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa thuhet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

    Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

    Më 14 korrik 2022, ishte mbajtur seanca fillestare ku Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.

    Krivaqën, Prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!