Dje dhe sot, zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Partisë Social Demokrate por edhe përfaqësues të ndryshëm kanë ngjallë dilema se ku mbeten një pjesë e 7 mijë testeve që kishte deklaruar Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia se ka siguruar Kosova.
Kjo ndodhi pasi sot, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik tha se janë vetëm edhe 600 teste. Më 28 mars 2020, Ministri Vitia ka thënë që “Shtatë mijë teste mbërritën sot në Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për RT-PCR.”
Në raportimin e IKSHP të datës 16 prill u tha se: “nga data 8 shkurt deri më 16 prill 2020, në laboratorin e këtij instituti janë testuar 3915 mostra të dyshimta. Nëse deklarata e Ministrit Vitia do të ishte e saktë, ne Kosovë do të duhet të ishin në dispozicion 3085 teste e jo vetëm 600 te tilla siç ka deklaruar ISHPK, shkruan Reporteri
Në një shkrim të gjatë, Gazeta Shneta ka sjellë një përgjigje të Ministrisë në lidhje me testet.
Operatori ekonomik i cili i kishte fituar dy kontrata për furnizim me teste për RT PCR për diagnostikimin e koronavirusit Covid-19, nuk ka arritur të liferojë me kohë të gjitha testet sipas kontratës.
Gazeta Shneta raporton se në ditët e para kompania “Eramed” i kishte liferuar vetëm 600 teste, ndërsa rreth 1 javë më vonë edhe 1500 të tjera. Sipas MSH-së sonte në orët e mbrëmjes pritet t’i liferojë edhe 2 mijë sosh
Këtë e ka konfirmuar edhe Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Gazetën Shneta. Operatori i kishte thënë MSH-së se pjesën tjetër të testeve do ta liferonte këtë javë por kjo nuk do të ndodhë. Në fakt MSH ka konfirmuar se operatori pritet që sot të liferoj 2 mijë teste.
“Operatori ka deklaruar se sonte në mbrëmje do të liferojë edhe 2 mijë teste të tjera. Poashtu 1 mijë teste pritet të vijnë nga Serbia, ndërkaq sot shpallet kontrata kornizë për furnizim me 10 deri 13 mijë teste”, ka deklaruar zëdhënësi i MSH-së Faik Hoti.
Kompania “Eramed” është arsyetuar për vonesën e kiteve me kërkesat e mëdha të tregut ndaj prodhuesit ku furnizohet.
“Prodhuesit kanë marr qëndrim që pa marr parasysh se sa një kompani porosit kite do të bëjnë një ndarje proporcionale sipas prodhimit. Operatorët që bartin mallra kanë imponuar mënyrën e transportit dhe nuk pranojnë dërgesa të mëdha me një transport por kërkojnë që të ndahen dhe kjo ka detyruar që të vijnë çdo 2-3 ditë një dërgesë më e vogël”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Eramed”.
Nga kjo kompani poashtu kanë deklaruar se afati prodhimit te kiteve është zgjatur sepse kërkesa është gati 2 herë më a madhe se kapaciteti i prodhimit dhe kjo ka zgjatur edhe kohën e liferimit që ka qenë normalisht 5-10 ditë e tani merr 2-3 javë. Kompania thotë se urdhërblerjet i kanë marr me kohë, por për shkak të ndryshimit të transportit është bërë kërkesë për zgjatje të afatit të liferimit dhe kjo kërkesë i është pranuar nga autoriteti kontraktues.
Operatori ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Instituti Kombëtar që numrin e testimeve ta përshtat sipas dinamikës së furnizimit.
“Jemi në dijeni për këtë dhe nga ana jonë nuk mund të ndodh që laboratori të mos ketë kite për testim për sasinë për të cilën jemi të kontraktuar. Nëse IKSHPK do ta rrit numrin e testimeve në bazë ditore duhet të ketë parasysh mënyrën e furnizimit dhe t’i përshtatet kësaj dinamike, dhe për këtë e kemi informuar MSH”, thuhet në përgjigjen e operatorit “Eramed”.
Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se pret nga operatori ekonomik që të bëj liferimin brenda afateve, në të kundërtën do të marr masa sipas Ligjit të Prokurimit Publik.
“Çdo vonesë nuk i bën mirë procesit të menaxhimit të situatës epidemiologjike me Covid-19, por Msh pret që operatori t’i liferojë testet sipas deklarimeve të afateve që i ka bërë. Ne Ligjin per Prokurimin Publik, janë të përcaktuara edhe gjobat për subjektet apo operatorët ekonomik në rast se nuk i përmbahen kontratës dhe afatave të liferimit”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Nga data 8 shkurt deri më sot IKSHPK ka testuar 3.915, nga të cilat 449 kanë rezultuar pozitive me 12 rastet të vdekjes.