Deputeti i Lëvizjes, Haki Abazi i është rikthyer konferencave në hollin e Kuvendit, nga ku kritikonte Lëvizjen Vetëvendosje e Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti.
Por, kësaj radhe Abazi është rrëfyer për pasojat e ngritjes së zërit për siç ka dhënë ai “mbytjen e demokracisë” përbrenda lëvizjes Vetëvendosje dhe dështimet e Qeverisë Kurti, shkruan Reporteri.net.
Para gazetarëve, deputeti i VV-së tha se është dhënë urdhër për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit të Komisionit për Politikë të Jashtme dhe nga pozita e anëtarit të Komisionit për MSA-në.
Ai ka thënë se kryeministri Kurti është vënë në kërkim të atyre që duan ta rrëzojnë nga Qeveria dhe mendon se edhe emri i tij është në atë listë.
Por, Abazi shtoi se ai nuk do të jetë target i askujt për të dhënë votë për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
“Jam këtu për të dhënë urdhër për shkarkimin tim nga këto dy komisione. Natyrisht që për shumicën prej juve nuk është krejt e papritur kjo gjë. Do të vazhdoj që në mënyrë transparente dhe direket të shpreh qëndrimet e mia për atë që ndodh brenda jetës parlamentare. Çështja kryesore mendoj është se zoti Kurti mendon që unë do të hidhërohem shumë dhe do të bëhem pjesë e atyre që duan ta rrëzojnë. Kurti është në kërkim të atyre që duan ta rrëzojnë nga Qeveria. E përsëris unë nuk jam votë kundër Qeverisë Kurti. Kemi këtë kombinacion politik në vend. Opozita nuk mund ta rrëzoj qeverinë, Grenelli nuk ekziston më, Escobar nuk është njeri që mund të krahasohet me Grenell. Nuk ka asnjë interes racional për ta rrëzuar Qeverinë”, ka thënë Abazi ndër të tjera në një konferencë për media.
Ai shtoi se do të vazhdojë të jetë pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe se do ta pranojë në plotëni vendimin për shkarkimin e tij nga pozita e Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe heqjen nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asocim BE-Kosovë.
Nga holli i Kuvendit, Haki Abazi tha se ekzistojnë video incizime që dëshmojnë zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.
Ai ka akuzuar rëndë partinë e tij në pushtet, duke thënë se ekzistojnë video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari.
Deputeti i VV-së thotë se edhe kryeministri Albin Kurti e Ministrja Haxhiu duhet të merren në pyetje nga Prokuroria për rastin.
Ai pyet se si është e mundur që të zhduken mostrat e Deharit dhe kryeministri Kurti mos të thotë asnjë gjë.
“Video incizimet janë ato që duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari. Pytjet e mia që kam shtruar dhe diskutimet që kam berë, kanë sjellur te shkarkimi dhe anatemimi brenda VV-së. Shkarkimi im është minor, kundrejt borxhit që kemi me sqaru çka ka ndodh me rastin e Astrit Deharit. Si është e mundur që në pushtetin e VV-së të zhduken mostrat, dhe Kurti të mos e thotë asnjë fjalë për këtë çështje. Nuk mund të rrim të heshtur përballë një procesi të tillë. Instituti i Mjekësisë ligjore është i monitoruar 24 orë, dihet qartë se kush ka hyrë te frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat të cilat kanë qenë të vendosura nën mostrat tjera”, tha Abazi në konferencë para gazetarëve.
Abazi ka thënë se videot e audiot “janë në dispozicion”, duke shtuar se ato janë punë e Prokurorisë.
Në njoftimin e prokurorisë, dërguar mediave thuhet se prokuroria ka dëgjuar me vëmendje deklaratat e deputetit Abazi dhe i njëjti do të ftohet për intervistim.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se ka dëgjuar me vëmendje deklaratat e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, dhënë sot për media, dhe se i njëjti së shpejti do të ftohet për intervistim”, thuhet në njoftimin për media të Prokurorisë Speciale.
Haki Abazi ka drejtuar akuza ndaj anëtares së Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosjes, Dejona Mihalit, të cilën e ka quajtur “mashë të kontrollit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes”.
Ai thotë se Mihali nuk ka qenë pjesë e garës për parlament e as në zgjedhjet e brendshme por sipas tij ajo kontrollon Grupin Parlamentar.
“Shpeshherë nuk më është dhënë fjala në parlament dhe unë jam detyruar të protestojë në forma të ndryshme. Nga shkurti i vitit të kaluar kam iniciuar formimin e Komisionit hetimor për privatizim por kjo iniciativë është bllokuar nga Dejona Mihali. Ajo është masha e kontrollit të grupit parlamentar të LVV-së”, tha Abazi.
Kritika të ashpra ka hedhur edhe në drejtim të Mimoza Kusari-Lilës, shefe e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje të cilën e ka quajtur “Çadra e Gadafit”.
“Çadra e Gadafit” duke iu referuar Mimoza Kusarit, Abazi thotë se “ka shkatërruar parti, ka përçarë deputetë, e ka votuar marrëveshje të dëmshme për interesin e Kosovës që dikur kanë qenë kauza të LVV-së”.
“E zier brenda çadrave të Gadafit. Këtë valle e kemi pa edhe më herët, ka shkatërruar parti politike. Çadra e Gadafit ka votu edhe marrëveshje të dëmshme për interesin e Kosovës, që dikur kanë qenë kauza të VV-së”, ka thënë ai ndër të tjera.
Ka përmendur edhe deputeten e VV-së, Saranda Boagujevci për të cilën ka thënë se është një nga individët brenda VV-së që ngulfasin zërin e deputetëve.
“Audo-incizimet konfirmojnë diskutimin ndërmjet Saranda Bogujevcit, Mimoza Kusarit dhe Dejona Mihali për ngulfatjen e zërit të deputetëve brenda Parlamentit të Kosovës”, ka thënë Abazi.
Abazi ka rënditur, siç i quajti ai “dështimet epokale” të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai tha se disa nga to janë: zgjedhjet lokale, dështimi i VV-së në zgjedhjet lokale, zgjedhjet e brendshme në VV, vrasja e plotë e demokracisë së brendshme, lënia jashtë e aktivistëve më të devotshëm të VV dhe vendosja e çdo paramentri të zgjedhjeve brenda pa asnjë debat demokratik.
Sa i përket udhëheqjes me shtetin, Abazi përmendi dështimet në diplomaci e tensionimin e marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në.
Abazi po ashtu thotë se nuk ka pasur zbatim të reformave të premtuara nga Qeveria, sidomos në luftimin e krimit e korrupsionit.
Nuk ka asnjë interes racional për ta rrëzuar Qeverinë. Unë nuk ia jap kënaqësinë në asnjë moment që të bëhem target i askujt për dështimet epokale të dy viteve të fundit: zgjedhjet lokale, dështimi i VV-së në zgjedhjet lokale, zgjedhjet e brendshme në VV, vrasja e plotë e demokracisë së brendshme, lënia jashtë e aktivistëve më të devotshëm të VV dhe vendosja e çdo paramentri të zgjedhjeve brenda pa asnjë debat demokratik. Pastaj dështimi në diplomaci e rrjedhimisht edhe pozicionimi i aleatëve strategjikë kundër formës si është zhvilluar dialogu, tensionimi i marrëdhënieve me Amerikën është real. Nuk është faji i SHBA-ve, por i yni që nuk kemi bërë punën e duhur në këtë drejtim. Dhe e katërta është mungesa e plotë e reformave të premtuara, sidomos kundër krimit dhe korrupsionit”, ka thënë Abazi ndër të tjera në një konferencë për media. /Reporteri.net/.