Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza ka pritur në takim ambasadorin francez në Kosovë, Oliver Guerot, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Hamza ka thënë se në takim kanë diskutuar për nevojën e rritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit mes dy vendeve, ndëresa ka theksuar se Franca është partnere strategjike e Kosovës.
“Ishte kënaqësi bashkëbiseda e sotme në Mitrovicë me Ambasadorin e Francës, Olivier Guérot. Ne diskutuam për nevojën e rritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit në çështjet me interes dypalësh, por edhe në interes të forcimit të paqes, bashkëjetesës dhe sigurisë në Kosovë e rajon.
Franca është partnere strategjike e Kosovës për forcimin e perspektives euroatlantike dhe zhvillimin ekonomik”, ka shkruar Hamza në postimin e bërë në Facebook.
Në postimin e bërë, kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së thotë se Franca e ka mbështetur Kosovën në të gjitha proceset jetike dhe është adresë për shumë shtete që aspirojnë të anëtarësohen në BE.
Në fund, ai ka theksuar edhe mirënjohjen e Kosovës ndaj shtetit francez drejt rrugës euroatlantike.
“Si mike e dëshmuar, ajo na ka mbështetur në të gjitha proceset jetike për vendin dhe është adresë shumë e rëndësishme për integrimin e shteteve që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.
Kosova është mirënjohëse ndaj Francës dhe partnerëve strategjikë perëndimorë. Unë besoj se në rrugën tonë drejt realizimit të vizionit euroatlantik duhet të ecim së bashku me të gjitha shtetet partnere perëndimore”, ka shkruar Hamza.
/Reporteri.net/