Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar sot me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian, me të cilët ka diskutuar edhe për hapjen e Urës së Ibrit, përcjell Reporteri.net.
Në takimin e 17 korrikut, sipas njoftimit për media të lëshuar nga Zyra e Kurtit, në kuadër të informimit dhe koordinimit me partnerët ndërkombëtarë është trajtuar “rëndësia e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura, në mënyrë që të mundësohet liria e plotë e lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim”.
Sipas Qeverisë, hapja e urës mbi Ibër do t’i kontribuonte zhvillimit të ekonomisë dhe tregut “përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit”.
Kurti me ambasadorët e QUINT-it diskutojnë për hapjen e Urës së Ibrit
Në fund të majit, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Mitrovicës së Veriut kërkuan që të zbatohet vendimi për hapjen e urës kryesore mbi Ibër për trafik.
Kjo urë që nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë veriore, të banuar me shumicë serbe.
Në prill të vitit 2023, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut vendosi që ura të hapej edhe për trafik. Por, vendimi nuk është zbatuar ende.
Kjo komunë udhëhiqet nga Erden Atiq, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje – partia e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, pati thënë se zbatimi i vendimit për çështjen e urës u takon autoriteteve qendrore dhe institucioneve të sigurisë.
Zyrtarë të këtij Kuvendi, madje, patën thënë se hapja e urës është edhe nën juridiksion të Mitrovicës së Jugut dhe të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, njëherësh deputet opozitar në Kuvendin e Kosovës, Rashit Qalaj, pati thënë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për hapjen e urës i takon Qeverisë së Kosovës, por se nuk beson që ajo mund të veprojë asisoj pa koordinim me faktorin ndërkombëtar, sidomos me KFOR-in.
“Nëse Qeveria e Kosovës merr vendim, frikësohem që nuk do të zbatohet nga KFOR-i”, shprehet ai.
Kundër zbatimit të vendimit për hapjen e urës mbi Ibër është shprehur Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Ndërkaq, Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar se çështja e urës mbi lumin Ibër duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut në Bruksel.
BE: Vendimi për hapjen e urës së Ibrit të merret në kuadër të dialogut
“Hapja e urës është pjesë e dy marrëveshjeve. Por, përkundër përpjekjeve tona, kjo urë ka mbetur e mbyllur për trafik. Pasi kjo është pjesë e dialogut, gjithçka duhet të diskutohet dhe të vendoset në dialog me pjesëmarrjen e Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi në fund të majit zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Çështja e urës së Ibrit, Stano: BE-ja dëshiron të parandalojë një krizë tjetër në Kosovë
Edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka kërkuar që çështja e hapjes së urës mbi Ibër të zgjidhet në kuadër të dialogut.
Karabinierët e KFOR-it kanë prezencë të përhershme në urën mbi lumin Ibër.
Edhe komandanti i Forcave Kosovare të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Özkan Ulutaş pati thënë muajin e kaluar se çdo vendim në lidhje me urën e Mitrovicës duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të cilin NATO vazhdon ta mbështesë, duke përfshirë përpjekjet e KFOR-it.
Për këtë çështje pati folur edhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ai ka bërë thirrje që palët të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara, derisa tha se edhe pse pajtohen që ura duhet hapur, kjo duhet bërë në kuadër dialogut.
Kështu, ai më tutje shtoi se nëse palët janë të interesuara, mund ta vendosë si pikë në agjendën e takimit të ardhshëm mes kryenegociatorëve.
Lajçak për hapjen e urës së Ibrit: Nëse duan palët, mund ta vendos në agjendën e takimit të ardhshëm
Ambasadori italian në Kosovë, Antonello De Riu, në anën tjetër pati thënë se çështja e rihapjes së Urës së Ibrit është duke u bërë për qëllime politike, simbolike dhe elektorale.
“Ura nuk është e mbyllur, është e qarkullueshme qetësisht në këmbë. Ka qytetarë të etnisë serbe që shkojnë në pjesën jugore për Pazar, por ka edhe të jugut që shkojnë veri. Edhe unë eci lirshëm në atë urë, thjeshtë trafiku automobilistik nuk funksionon…Unë mendoj se kjo është pikërisht ky shembulli klasik, që të marrim një shembull qysh është rihapja e urës me qëllime tipike politike, simbolike dhe elektorale. Këto kemi dyshime të mëdha, i kemi shprehur dhe shpresoj që autoritete e Kosovës të i marrin parasysh”, kishte thënë ai.
Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pati thënë se hapja e urës së Ibrit është përgjigjja më e mirë ndaj deklaratës së të ashtuquajturit “Kuvendi gjithëserb”
“Bashkësia Ndërkombëtare dhe Kosova përgjigjen më të mirë do t’ia jepte Vulinit dhe të gjithëve me mendësi të tillë, me hapjen e Urës së Ibrit”, thuhet në reagimin e Haradinajt.
Pas luftës së viteve 1998/’99, kjo urë e ndau qytetin e Mitrovicës në pjesën jugore me shumicë shqiptare dhe në atë veriore me shumicë serbe.
• Plani i Ahtisaarit – baza mbi të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 2008 – parashikoi ndarjen e Mitrovicës në dy komuna të veçanta.
• Më 2011, serbët lokalë vendosën aty barrikadat e para, për të kundërshtuar shtrirjen e autoriteteve të Kosovës.
• Më 2013 u formua Komuna e Mitrovicës së Veriut, sipas ligjeve të Kosovës.
• Më 2014, barrikadat u zëvendësuan me copa betoni dhe me pemë. Pamja e re u quajt “Parku i Paqes”. Po atë vit, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në Bruksel për heqjen e barrikadave dhe për rivitalizimin e urës.
• Më 2015 u hoq Parku i Paqes, me idenë e hapjes së urës për qarkullim.
• Më 2016, palët në Bruksel u pajtuan për një plan zbatimi të marrëveshjes për urën.
• Rivitalizimi i urës u përfundua nga Bashkimi Evropian më 2018 dhe kushtoi rreth 1.5 milion euro.