Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, e konsideron të papranueshme gjuhën përçmuese e fyese të përdorur nga kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ndaj asamblistes së kësaj partie, Sherife Balaj.
Në reagimin e PDK-së thuhet se shprehja e përdorur e Haskukës në sallën plenare “rrugaçe” është fyese në rend të parë ndaj një kolegeje të Kuvendit Komunal, por mbi të gjitha e përdorur ndaj një kandidate femër e cila edhe në bazë të shumë monitorimeve të organizatave jo qeveritare është vlerësuar si kuvendarja më aktive.
“Ne e dënojmë fuqishëm si subjekt politik këtë veprim sepse më së paku kjo duhet të jetë gjuha parlamentare e një kryetari i cili u lëshua në fyerja pas fjalimit të Balajt që po kritikonte komunën për anashkalimin nga investimet e rajonit të Hasit. Arroganca, fyerjet dhe akuzat e një kryetari në ikje që është udhëhequr për katër vite nga një grup i ngushtë i njerëzve, flasin më shumë për karakterin e tij dhe mbi të gjitha frikën nga humbja që po e pret këto ditë.”, thuhet në reagim.
PDK në reagim kanë bërë të ditur se janë duke konsultuar edhe me ekspertët ligjorë për të ushtruar padi për fyerje dhe dëmtim të personalitetit publik të Sherife Balajt.
“Ftojmë edhe partitë e tjera politike, aktivistet gra e shoqërinë civile që ta dënojnë këtë gjuhë fyese të përdorur në sallën e Kuvendit Komunal”. ka përfunduar regaimi i PDK-së.
Kujtojmë që sot kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, e ka fyer asamblisten e PDK-së atje, Sherife Balajt, e cila e ka kritikuar atë në Kuvendin Komunal për çështjen e buxhetit, duke i kërkuar ta lë vetë pozitën e kryetarit.
Balaj i kërkoi Haskukës që të shkojë në Prishtinë, aty ku ajo tha se kryetari i Prizrenit jeton me familjen e tij.
“Merre këtë buxhet, e maje me vete, çoje në Prishtinë, atje ku jeton me familjen tënde e dorëzohu sot e përgjithmonë. Thuaj dua të kthehem në Filozofik, dua të japë ligjërata, se boll e ke mashtruar qytetin”, tha Balaj.
Ajo tha se tani është radha që qytetarët e Prizrenit të qeshin me Haskukën.
“Nuk ka nevojë me qesh se qesh keni qesh që katër vjet. Tash e kanë radhën qytetarët me qeshë me ju”, tha Balaj.
Replikën ndaj saj, Haskuka e nisi menjëherë me fyerje. Ai e quajti “rrugaçe” Balajn, të cilën e akuzoi se po shpifte.
“Rrugaçeve të cilat shpifin dhe gënjejnë nuk kam nevojë me iu përgjigj. Unë ndaj shpifjeve nuk kam ndërmend me u përgjigj”, tha Haskuka.