Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është deklaruar lidhur me arratisjet e fundit nga institucionet korrektuese si dhe rastin e Enver Sekiraqës. Arratisjen e Sekiraqës, ajo e ka cilësuar si rast të paprecendtë, shkruan Reporteri.net.
Lidhur me arratisjen e Ujkan Metajt, Haxhiu tha se ka filluar inspektimi në Burgun e Dubravës. Metaj ka ikur vetëm gjashtë ditë ditë pasi Faton Hajrizi, i dënuar për vrasjen e policit rus të UNMIK-ut, është arratisur nga Qendra Korrektuese e Smrekonicës.
“Është bërë një inspektim i ksaj situate që ka kërkuar marrjen e masave ndaj këtyre zyrtarëve. Sigurisht kjo nuk është në kompetencën time por të drejtorit të SHKK-së mirpo po bëhet edhe një inspektim për rastin e dytë, në pjesën e pavionit të hapur në Burgun e Dubravës”, ka deklaruar Haxhiu.
Rastin e Enver Sekiraqës, Haxhiu e ka cilësuar si të paprecedentë. Sipas saj, institucionet po angazhohen maksimalisht për kapjen e tij.
“Është ikje nga drejtësia dhe është në arrati dhe për këtë rast institucionet po angazhohen maksimalisht. Çështja është që në rastin konkret kemi të bëjmë me një person i cili ishte dënuar dhe nuk ishte në institucionet korrektuese. Pra, ka qenë një rast i paprecedent sepse saherë që gjykatat dënojnë, në të kaluarën ka qenë një rregullim ligjor që në qoftë se dënimi është mbi 5vite, atëherë menjëherë shkon dhe e vuan dënimin”, ka thënë Haxhiu për RTV Dukagjini.
Enver Sekiraqa, i dënuar tri herë nga gjykatat në Kosovë për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza, që nga është në arrati nga muaji maj.
Sekiraqa është dënuar për të tretën herë në fillim të majit. Mirëpo deri në plotfuqishmërinë e vendimit Gjykata vendosi që ai të mbrohej në liri.
Prokuroria Speciale heqjen e masës e ka kundërshtuar ditën e dënimit, më 3 maj, e Gjykata Apelit më 17 maj vendosi që ta pranojë këtë kërkesë si të bazuar dhe ta kthejë Sekiraqën në paraburgim. Mirëpo, policia nuk e gjeti në adresën e tij. Në arrati ndodhet edhe Marko Roshiq, i dënuar për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
Lidhur me këto raste është deklaruar para disa ditësh, edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sipas tij, këta të dy nuk janë arratisur.
“Nuk janë tre persona të arratisur, një është arratisur, tjerët nuk janë paraqitur para drejtësisë kur është kërkuar prej tyre. Policia e kryen punën e vetë, nuk ka najfarë telashe”, ka thënë Sveçla.
Para disa ditësh, Sveçla tha se arrestimi i Hajrizit është “çështje orësh apo ditësh”. I njëjti ende nuk është kapur.
“Tashmë policia ka bërë angazhimin e saj që të hetojë rastin në plotni, në qoftë arratisjen apo vendndodhjen e tij dhe arrestimin shumë të shpejtë… Policia po punon unë jam i bindur dhe policia shumë shpejt do të vijë me rezultate. Ju po i shihni rezultate e policisë për çdo ditë që të kemi numër minimal të rasteve ku kemi vështirësi në zbulueshmëri, do të thotë zbulueshmëria është maksimale, edhe veprimet e policisë janë jashtëzakonisht efektive. Unë nuk jam shumë i brengosur me këtë duke parë efikasitetin e policisë, është çështje orësh apo ditësh”, deklaroi Sveçla.
Që nga viti 2007 deri tani janë 56 raste të arratisjeve ose persona që nuk janë kthyer në qeli, pasi ishin larguar duke shfrytëzuar benefite të ndryshme, si lirimi për fundjavë.