Shqipëria të martën u godit nga një tërmet i fuqishëm që shkaktoi rreth 50 viktima, qindra të lënduar dhe shumë objekte të shkatërruara.
Shqiptarët anë e mbanë botës arritën të mobilizoheshin si kurrë më parë për t’u dalë në ndihmë të prekurve nga tragjedia, por historia e një të moshuari nga Medvegja ka prekur të gjithë, shkruan Reporteri.net.
Shaqir Shaqiri, sapo kishte marrë pensionin e tij, por nuk hezitoi që nga ajo shumë e vogël të ndajë pak edhe për vëllezërit shqiptarë, të cilët i kishin dalë në ndihmë gjatë kohës së luftës. Axha Shaqir dhuroi 10 euro për të prekurit nga tërmeti duke thënë se kjo shumë është krejt çka mund të ofrojë.
E gjesti i tij përpos se ka prekur shumë njerëz, ka rënë në sy edhe të kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Rama e ka cilësuar axhën Shaqir si heroin e tij, njeriun më të pasur të kombit, gjersa ka premtuar se një ditë do të shkojë dhe ta takojë.
Por kush është Shaqir Shaqiri, plaku që u bë hero i shqiptarisë?
Reporteri merr vesh se ai është me prejardhje nga fshati Svircë i Medvegjës, dhe për një kohë të gjatë ka punuar si arsimtar i gjuhës shqipe në vendlindjen e tij, konkretisht në Banjë të Siarinës. Në mesin e bashkëvendësve, ai njihet si patriot i madh për çka ka qenë i përndjekur gjithmonë nga regjimi serb. Për këtë arsye ai është detyruar të largohet nga vendlindja e tij dhe të strehohet në Prishtinë, ku edhe aktualisht jeton.
Shaqir Shaqiri një kohë ka punuar edhe si arsimtar i gjuhës shqipe në Obiliq, duke vazhduar kontributin në arsimimin e gjeneratave të reja.
Axha Shaqir si patriot i madh që është gjithmonë ka mbajtur në sako flamurin kombëtar të cilin aq shumë e don. /Reporteri.net