Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka komentuar shifrat e popullsisë, teksa ka thënë se Kosova ka rreth 200 mijë banorë më pak, ndërkaq disa komuna rreth 35 për qind më pak banorë.
“Të dhënat preliminare për regjistrimin e popullsisë në Kosovë janë bërë publike javën e kaluar. Ky regjistrim u shty për një vit për shkak të dështimeve të Qeverisë së Kosovës për të kryer me kohë procedurat e nevojshme për të nisur regjistrimin”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, për këto vonesa, Qeveria e bëri kurban një zyrtar të Agjencisë së Statistikave, i cili kishte raportuar në Komisionin Parlamentar për Buxhet se Agjencia e Statistikave i kishte kryer të gjitha detyrat që ishin në përgjegjësi të Agjencisë.
“Kështu që, përdorimi i të dhënave nga regjistrimi i popullsisë për çështje të planifikimeve buxhetore, infrastrukturore, ambientale, arsimore e shëndetësore, shtyhet një vit prapa vendeve të tjera evropiane”, ka shkruar deputeti i LDK-së.
Hoti ka vlerësuar se të dhënat e publikuara janë shumë të pakta. Përveç numrit të popullsisë sipas komunave, banesave/shtëpive dhe ekonomive familjare, nuk ka të dhëna të tjera të publikuara në këtë fazë.
“Kosova ka rreth 200 mijë banorë më pak krahasuar me regjistrimin e fundit të vitit 2011. Përveç Fushë Kosovës, Prishtinës, Obiliqit, Mamushës dhe Ferizajt, të gjitha komunat e tjera kanë rënie të numrit të banorëve. Kamenica ka 37% më pak banorë; Juniku 35% më pak; Novobërda 33% më pak, Deçani 31% më pak; Rahoveci 26% më pak; Vitia 24% më pak; Suhareka dhe Mitrovica 23% më pak; Klina 21% më pak; Skënderaji, Podujeva dhe Malisheva 20% më pak, e kështu me radhë”, ka shkruar ai.
“Rreth 33% e shtëpive/banesave janë të pabanueshme. Komunat me më së shumti shtëpi/banesa të pabanueshme janë: Dragashi 43%, Istogu 41%, Suhareka 41%, Klina 40%, Gjilani 39%, Vitia 39%, Ferizaj 39%, Fushë Kosova 38%, Lipjani 35%, Prizreni 35%, Kamenica 35%, e kështu me radhë”, ka thënë Hoti.
Në përgjithësi, sipas deputetit të LDK-së, zhvillimet demografike në Kosovë janë të ngjashme me vendet e tjera sa i përket trendit. Por, përmasat e zhvillimeve demografike janë shumë më të mëdha dhe më të shpejta, në veçanti viteve të fundit. Dividenti demografik që vjen nga popullsia në moshë të re duket se nuk po mund të shfrytëzohet mjaftueshëm për të siguruar rritje më të përshpejtuar ekonomike për të siguruar konvergjencë më të shpejtë ekonomike me vendet në rajon dhe në BE.
“Largimi në masë i kuadrove të specializuar, sidomos në mjekësi, teknologjinë e informacionit, inxhinieri e fusha të ngjashme, po krijon zbrazëti në treg dhe në shoqëri. Kjo do të ketë pasoja afatgjata për ekonominë. Bazuar në numrin e të diplomuarve brenda vitit në këto fusha, është e pamundur të zëvendësohen ata që emigrojnë”, ka shkruar Hoti.