Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka komentuar 15 modelet evropiane për Asociacionin, që ia ka ofruar kryeministrit Kurti, emisari Miroslav Lajçak.
Hovenier e quajti Lajçakun “negociator të zgjuar” dhe me përvojë, por tha se nuk do të priste që ai t’ia ofronte Kosovës këto modele evropiane, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ai tha se këto nuk duhet të ndikojnë esencialisht në strukturën e tij, por vetëm të merren si frymëzim, gjë të cilën e ka theksuar edhe vetë Lajçak.
“Do të thoja disa gjëra lidhur me këtë. Si pikë e parë, Miroslav Lajcak, si përfaqësues special është një negociator i zgjuar, i aftë dhe me përvojë. Nuk do të prisja se ai do të paraqiste propozime që nuk janë në përputhje me marrëveshjet e arritura në Marrëveshjen e Brukselit, dhe në nenin 10 të kësaj marrëveshjeje të arritur thuhet se të dyja palët konfirmojnë obligimin e për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, që vazhdojnë të jenë të vlefshme dhe të obligueshme. Andaj asgjë nuk është anuluar apo mohuar”, deklaroi Hovenier në ATV.
“Dhe besoj se z. Lajcak, palëve u ka dhënë atë qo do t’i quaja si shembuj që duhet të konsiderohen, për t’u inspiruar. Kemi parë disa prej tyre, kemi biseduar për disa prej tyre”, tha tutje ai.
Lajçak deklaroi se këto modele duhet të shfrytëzohen vetëm për t’u frymëzuar nga to, jo për t’u përdorur si alternativë.
I njëjti theksoi se Asociacioni duhet themeluar konform marrëveshjes së arritur në Bruksel, në 2015-ën.
“Ne e dimë që është rënë dakord në 2013, por nuk ndodhi. Këtë herë duhet të ndodhë, bazuar në atë që u ra dakord në 2013, përkatësisht në 2015. Ne propozuam 15 modele ekzistuese evropiane si frymëzim. Jo si një alternativë. Ndoshta marrëveshjet e vitit 2013 apo 2015 nuk do të japin përgjigje për të gjitha pyetjet. Unë dua që ne të kërkojmë frymëzim nga modelet funksionale evropiane”, deklaroi emisari evropian. /Reporteri.net/.