×
Intervista

Kurti për FAZ: “Kompromisin për targa e pranova për t’i hapur rrugë dialogut që duhet të përfundojë në pranverën e 2023-ës”

Reporteri
29 Nëntor 2022 | 11:14
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Pranimin e propozim-kompromisit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, për çështjen e targave, kryeministri kosovar, Albin Kurti, pohon ta ketë pranuar vetëm e vetëm që të “krijohet mundësia për nisjen e shpejtë të negociatave” për normalizim të plotë të marrëdhënieve, raporton gazeta online Reporteri.net.

Për “Frankfurter Allgemeine Zeitung“, Kurti ka dhënë edhe afat specifik se kur duhet të përfundojë normalizimi i marrëdhënieve me një marrëveshje të madhe.

“Kjo duhet të përmbushet para pranverës së vitit 2023. Ky ka qenë caku i kompromisit”.

Pyetur rreth kritikave të ndërsjella Kurti-Borrell, kryeministri e dha një shpjegim për natyrën e mosmarrëveshjes mes tyre. Sipas tij, Borrell e reduktoi takimin në çështje targash, duke “ngulur këmbë që të nënshkruajmë vetëm një deklaratë për targat e ta paraqesim si sukses madhor”.

“Kjo është mosmarrëveshja kryesore që kisha me të”, ka thënë Albin Kurti për FAZ, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Megjithatë, pjesa ku gazetari/intervistuesi Michael Martens i FAZ-së thotë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë atij se ishte ambasadori amerikan që kishte “më shumë informacione për situatën në Veri”, deklaratë kjo e cila u bë brumë për debat të ashpër në vend, nuk ishte, ose së paku në versionin e intervistës të postuar online.

Intervista e plotë e Albin Kurtit për FAZ, përkthyer në shqip nga gazeta online Reporteri.net:

FAZ: Kryeministër, falë ndërmjetësimit amerikan dhe evropian “kriza për targat” në Kosovë duket se është zbutur, së paku tani për tani. Çfarë është thelbi i kompromisit të bërë?

Kurti: Jemi pajtuar të mos zbatojmë vendimin tonë për të ndëshkuar vozitësit me targa të paligjshme serbe. Serbia është pajtuar të ndalojë së lëshuari targa të trashëguara nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit. Këtë e bëjmë vetëm për deeskaluar situatën, por edhe që të krijojmë mundësi për nisjen e shpejtë të negociatave për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo duhet të përmbushet para pranverës së vitit 2023. Kjo ka qenë caku i kompromisit.

FAZ: Shefi i politikës së jashtme evropiane, Josep Borrell, ju kritikoi në një mënyrë pazakonshëm të qartë për dështimin që të gjeni kompromis. A jeni person kokëfortë, apo Borrell e kishte gabim?

Kurti: Nuk jam kokëfortë, jam parimor. Ka parime dhe vlera që unë u qëndroj. Nuk shkoj në Bruksel për të negociuar për oficerë policorë, prokurorë, zyrtar doganash e shef kadastrash. Jemi aty si përfaqësues të dy shteteve që negociojnë për normalizim të marrëdhënieve. Ka të bëjë me dialog rreth një marrëveshje në parim, e jo me një dialog për menaxhim krizash. Neve s’na duhet dialog për hir të dialogut ose të tregojmë se Brukseli është aktiv. Nuk do të isha nisur për Bruksel po të kishte qenë çështja vetëm te targat. Unë shkoj në Bruksel për të konkluduar marrëveshje të përgjithshme. Sidoqoftë, zoti Borrell nguli këmbë që ne të nënshkruajmë vetëm një deklaratë për targa e ta paraqesim si sukses madhor. Kjo është mosmarrëveshja kryesore që kisha me të.

FAZ: Juve keni qenë i burgosur politik në Serbi kur presidenti aktual Aleksandar Vuçiç ishte Ministër i Propagandës në regjimin e Millosheviçit. A e tensionon kjo gjë bisedën, apo i mbani ndjenjat e juaja jashtë këtij ekuacioni?

Kurti: Kurrë s’provoj t’i shkyç ndjenjat e mia. Emocionet janë pjesë e rëndësishme e asaj se kush jemi e çfarë bëjmë. Por, gjithashtu kam mjaftueshëm përvojë të lë arsyeshmërinë të vendos çfarë them e çfarë nuk them. Nuk jam liruar nga burgu serb vitin e kaluar, por para mëse 20 viteve. Problemi kryesor për mua nuk është ajo se çfarë ishte zoti Vuçiç, por se as sot ai nuk pendohet për çfarë ka qenë. Në vend se të pendohet se ka qenë ministër informacioni i Millosheviçit, ai pendohet për lirimin tim më vonë se një vit që nga rënia e tij. Këtë e ka thënë disa herë, dhe kjo më irriton. Nuk ka të bëjë me atë se çfarë kam kaluar në burg, por për faktin se sa pak kanë ndryshuar gjërat në Serbi.

FAZ: Përfolet shumë iniciativa franko-gjermane për të zgjidhur konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë. Çfarë plani është ky?

Kurti: Më 9 shtator më vizituan Përfaqësuesi Special i BE’së për Dialog, Miroslav Lajçak, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, këshilltarët për politikë të jashtme të kancelarit gjerman dhe presidentit francez. Çfarë më prezantuan ata dukej iniciativë tejet serioze. Më sollën një listë me modele dhe ide, që i diskutuam gjatë para se t’i nisnin ato për në Beograd. Unë u thash se ishin bazë e mirë për bisedime të mëtutjeshme.

FAZ: Pse duhet që Aleksandar Vuçiç të jetë i interesuar për kompromis kur shpërblimi në të cilin njëherë e një kohë ai shpresonte – anëtarësimi i Serbisë në BE – nuk është më realiste?

Kurti: Janë bërë më shumë se nëntë muaj që nga pushtimi rus i Ukrainës, dhe Serbia ka marrë anë shumë kah Rusia, ka shkuar tepër larg në këtë. Gjithkush që kupton se Serbia nuk do të anëtarësohet në BE në të ardhmen e parashikueshme nuk duhet të harrojë se Brukseli jo vetëm që nuk e dëshiron Beogradin, por se Serbia gjithashtu preferon Moskën.

FAZ: Sidoqoftë, marrëveshja nuk po dështon shkaku i fajit vetëm të Serbisë. Paraardhësit tuaj kanë premtuar që enklavat dhe vendbanimet serbe në Kosovë do të lejohen të shkrihen një komunitet/asociacion. Kjo është bllokuar. Pse?

Kurti: Serbia vazhdon të thotë se kurrë s’do ta njohin Kosovën. Thonë se Kosova është shtet artificial. Por, në këtë shtet që ata e supozojnë artificial dëshirojnë asociacion/bashkësi tejet reale. Sllogani serb është ‘ju nuk ekzistoni – por duam diçka nga ju’. Kështu nuk funksionon. Së dyti, kur kërkoni një gjë, gjithmonë duhet ta keni ndërmend se e njëjta gjë mund t’ju kërkohet edhe juve. Pakicat përbëjnë rreth tetë për qind të popullatës në Kosovës dhe 20 përqind të popullatës në Serbi. Serbia duhet të mendoj për parimin. Përveç kësaj, Gjykata jonë Kushtetuese e ka rrëzuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës.

FAZ: Një parim kyç i politikëbërjes suaj kundrejt Serbisë është reciprociteti. A mund të paramendoni një model ku minoriteti serb në Kosovë të merr të njëjtat të drejta që minoriteti shqiptar ka në jug-lindje të Serbisë?

Kurti: Unë jam për reciprocitet në të drejtat e minoriteteve anembanë Ballkanit. Kjo është formula për paqe. Të drejtat e minoriteteve janë të rëndësishme në luftimin e dominimit të nacionalizmit. Por, Beogradi nuk qëndron për të drejtat e serbëve. Serbia dëshiron t’i territorializojë këto të drejta, dhe kjo është krejtësisht një gjë tjetër. Beogradi dëshiron që këto komunitete serbe të formojnë një bashkësi, por nuk di ndonjë serb në Kosovë të më ketë kërkuar ta bëj këtë gjë. Pranoj dhjetëra letra nga qytetarët serbë të vendit tonë çdo javë. Janë për gjëra të ndryshme, për punë, për funksionim të sundimit të ligjit e të tjera. Askush s’më shkruan: ‘Na duhet asociacion’. Vetëm zoti Vuçiç e thotë këtë.

FAZ: Sidoqoftë, BE dhe Uashingtoni ngulin këmbë për themelimin e këtij asociacioni të komunave. A është parandalimi i saj i rëndësishëm aq sa të kërcënohet me prishje të marrëdhënieve me aleatët perëndimorë?

Kurti: 33 marrëveshje janë bërë në Bruksel gjatë dekadës së kaluar. Dy të tretat e tyre nuk janë zbatuar nga Serbia. Unë e pranoj që këto 33 marrëveshje ekzistojnë dhe jam i gatshëm t’i marrë përsipër të gjitha ato në bisedimet zyrtare për normalizim të marrëdhënieve mbi bazën e propozimit franko-gjerman në Bruksel. Por, Serbia do të dëshironte ta shkëpuste këtë marrëveshje dhe të shpërfillë 32 tjera, si dhe propozimin franko-gjerman. Unë nuk do të marrë pjesë në këtë. Kur flasim për normalizim të marrëdhënieve, unë jam i gatshëm të flas për komunitetin dhe të drejtat e minoritetit serb – por, ama jo si parakusht për bisedime, por si pjesë të tyre.

FAZ: Çka rreth aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës?

Kurti: Jemi duke llogarit në mbështetjen e partnerëve dhe miqve tanë që të votojnë për pranimin tonë në Këshill të Evropës që kjo të vendoset sa më shpejtë të jetë e mundur. Përveç kësaj, ne zyrtarisht do të dorëzojmë aplikimin tonë për t’iu bashkuar BE-së në dhjetor. Sigurisht se ne e dimë që anëtarësimi nuk do të vjen së shpejti. Por, është e rëndësishme që të shprehim zyrtarisht dëshirën për anëtarësim në BE, dhe këtë formalisht e publikisht./Reporteri.net/

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!