Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi ka pyetur ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdari se a është intervistuar nga Prokuroria Speciale në lidhje me rastin e rezervave shtetërore.
Në Komisionin për Integrime Evropiane, ministrja Hajdari gjatë raportimit të saj nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjen e deputetes së LDK-së me arsyetimin se Krasniqi nuk është prokurore.
Krasniqi është përgjigjur duke thënë se “prokurore nuk jam, por kryetare e komisionit dhe kam të drejtë të bëj të tilla pyetje”.
Edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra ka thënë se po të ishte në vendin e ministres Hajdari do të kishte dhënë dorëheqje.
“Pse nuk po jepni dorëheqje Zonja Hajdari, nuk duhet të ishit sot këtu, kur ki me ofru dorëheqje”, ka thënë Deliu-Kodra.
Por pyetjeve të tilla, ministrja Hajdari u është përgjigjur duke thënë se për dorëheqjen e saj vendos vetëm kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti.
Në këtë debat ka pasë ndërhyrje edhe nga deputetët e VV-së.
Driton Hyseni nga VV-ja ka thënë se duhet të marrin fjalën me rend dhe jo të ketë ndërhyrje me pyetje të tilla gjatë raportimit të ministres.
Prokuroria Speciale të hënën ka intervistuar në cilësinë e të dyshuarës ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, shkruan Reporteri.net.
Përmes një njoftimi për media, u tha se Hajdari “është paraqitur në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e të pandehurës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me rezervat shtetërore”.
“Mirëpo, e njëjta sot nuk është deklaruar, dhe siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale ka shfrytëzuar të drejtën për tu mbrojtur në heshtje”, u tha në njoftim.
Hajdari pas intervistimit, para gazetarëve tha se nuk është intervistuar sot por ka ardhë që të japë sqarime pranë prokurorisë për Legjislacionin që është në fuqi për rezervat shtetërore.
“Kjo kërkon qartësi në legjislacionin në fuqi që është Ligji për Rezervën Shtetërore, Ligji për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe ligjet tjera, prandaj derisa t’i marrim qartësitë përkatëse, ne do të bëjmë kërkesën dhe të vijmë t’ju japim përgjigjet që kanë nevojë t’i marrin”, tha Hajdari para gazetarëve.