Gjatë muajit korrik minatorët në ndërmarrjen Trepça ishin në grevë, për shkak të mosekzekutimit të pagave ndaj tyre. Minatorët s’pranonin të vazhdonin punën pa u ekzekutuar pagat dhe shujtat ditore për ushqim që ata kanë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Menaxhmenti i Trepçës e arsyetonte mosekzekutimin e pagave me mungesë të mjeteve financiare dhe rënie të prodhimit.
Minatorët refuzonin vazhdimisht të hyjnë dhe të punojnë në minierë, pa u plotësuar kushtet e tyre, që sipas tyre diçka e tillë ju takonte me ligj. Madje ata deklaronin se s’po kanë më as me çfarë të mbajnë familjet e tyre.
Kur po futeshin në muajin e tretë pa pagat, e fiks më 14 gusht, Qeveria vendosi t’i ndajë katër milionë për pagat e minatorëve.
I pari i qeverisë në atë mbledhje kur dhe u ndan mjetet, kishte deklaruar se ato do të ndahen për të tejkaluar krizën aktuale ku minatorët janë pa paga që dy muaj.
Por, Kryeministri Kurti kishte kritikuar Trepçën duke thënë se nuk po nxjerrin mjaftueshëm xehe nga nëntoka, teksa ka punëtorë shumë.
“Në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale ku ndërmarrja nuk ka arritur që të sigurojë pagat nga xehja e nxjerrë. Duket se ka tepër shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, kishte thënë Kurti.
Qeveria ndan 4 milionë euro për pagat e minatorëve të Trepçës
Një javë pas ekzekutimit të pagave, disa minatorë u përballën me largime nga puna, ku nëntë prej tyre nga menaxhmeti i Trepçës është bërë e ditur se u është ndërprerë marrëdhënia e punës, ndërsa 6 të tjerë janë suspenduar nga puna.
Por, dy ditë më parë “Trepça” kishte marrë vendim që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për dy njësi të saj, atë Biznesore Minierat me Flotacion Trepça Stan Terg si dhe atë me flotacion Kishnicë dhe Artanë për shkak të koncentratit të humbur gjatë ditëve të grevës së minatorëve.
Në dokumentin e siguruar të martën nga Gazeta Online Reporteri.net, thuhet se është marrë vendim që edhe pushimet vjetore të planifikuara për muajt shtator, tetor dhe nëntor të pezullohen.
Arsyetimi rreth këtyre vendimeve ka qenë mungesa e aktivitetit për afër një muaj e dhjetë ditë në këto njësi, ku sipas tyre, ka pasur humbje të mëdha në prodhim dhe ndalesë në realizimin e planit të biznesit.
E sot, Ministri i Punvëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deklaroi se me qëllim të rritjes së kapaciteteve nxjerrëse të xehes në Minierën e Stan Tërgut, ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për trajnimin dhe certifikimin e minandezësve.
Madje, Sveçla tha se Qeveria do t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm që kjo ndërmarrje të zhvillohet.
“Me kërkesë të Trepçës, me qëllim të rritjes së kapaciteteve nxjerrëse të xehes në Minierën e Stan Tërgut, sot kam nënshkruar Udhëzimin Administrativ përmes së cilit mundësohet trajnimi dhe certifikimi i minandezësve nga institucionet tona, aq sa do të jenë të nevojshëm për Trepçën. Falënderoj grupin punues që në afat rekord kanë punuar këtë dokument të rëndësishëm që ka adresuar në plotni kërkesat e punonjësve të Trepçës. Si Qeveri do të ndërmarrim çdo hap të nevojshëm që Trepça të ngrihet e të zhvillohet”, shkroi sot ministri në Facebook.
/Reporteri.net/