KOMF u bën thirrje mediave që ta largojnë videon e sulmit seksual ndaj 7-vjeçares në Prishtinë

Mediat dje gjatë ditës kanë publikuar një video, e cila raportohej se është realizuar në oborrin e një shkolle fillore në Prishtinë, ku shiheshin disa nxënës që sulmojnë seksualisht një 7-vjeçare.


Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, ka reaguar lidhur me këtë rast dhe u ka bërë thirrje mediave që t’i largojnë këto pamje dhe të ruajnë privatësinë e nxënësve të përfshirë në atë video.

“KOMF reagon me shqetësim të madh për lajmin e publikuar në media, ku është raportuar për ngacmim seksual të një vajze të mitur, nga disa djem po ashtu të mitur, brenda mjediseve shkollore.”

“KOMF bën thirrje dhe apelon te të gjitha mediat që kanë publikuar pamje filmike dhe të dhëna që cenojnë identitetin e të miturës dhe të miturve tjerë, t’i largojnë ato”, thuhet ndër të tjera në reagimin e kësaj koalicioni.

KOMF vlerëson se pamjet filmike, zbulimi i emrit të shkollës, zbulimi i klasës dhe të dhëna të tjera, çojnë në zbulim të identitetit të fëmijës, dëmtim të rëndë dhe riviktimizim të fëmijës, fëmijëve dhe familjeve të tyre.

“Për shkak të ndjeshmërisë së lartë të rastit dhe moshës shumë të vogël të fëmijëve të përfshirë në rast, KOMF bën thirrje që mediat në radhë të parë të mbrojnë konfidencialitetin e rastit, duke pasur në fokus interesin më të mirë të fëmijës.”

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve i ka bërë thirrje edhe Qendrës për Punë Sociale dhe të gjitha institucioneve të mandatuara dhe të involvuara në këtë rast që të ndërmarrin të gjitha shërbimet e nevojshme dhe masat për fëmijët e përfshirë.

“KOMF bën thirrje drejt Qendrës për Punë Sociale që me prioritet të ofrojë shërbimet për mbrojtje dhe rehabilitim për fëmijën dhe të ndërmerren të gjitha shërbimet e nevojshme për fëmijët e tjerë.”

“Po ashtu, KOMF bën thirrje karshi të gjithë institucioneve të mandatuar dhe të përfshirë në këtë rast, që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në përputhje me legjislacionin.”

KOMF ka ofruar shërbime direkte sociale dhe psikologjike për fëmijët, si dhe mbështetje për këtë rast, nëse një gjë e tillë kërkohet nga institucionet, duke shtuar se do të monitorojë nga afër dhe intensivisht veprimet që do të ndërmerren nga institucionet përkatëse në lidhje me këtë rast, për të cilin apelon që të trajtohet me urgjencë.