
Njohësi i çështjeve politike, Albert Krasniqi, e ka vlerësuar jo-Kushtetues vendimin e Presidentes së vendit, Vjosa Osmani, për t’i shtyrë zgjedhjet në veri.
Sipas Krasniqit, ky vendim nuk i takon Presidentes, pasi thotë se nuk ka kompetencë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai thotë se Osmani do duhej që fillimisht të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në këto katër komuna, e pastaj të merrej një vendim unanim me deputetët e Kuvendit.
“Presidentja nuk ka kompetencë të shtyjë zgjedhjet e shpallura me një vendim, pavarësisht pëlqimit që ka marrë nga partitë politike. Për të qenë në harmoni me Kushtetutën, më së lehti ka qenë që Presidentja të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme të këto katër komuna pasi ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike; dhe pastaj të merret pëlqimi i Kuvendit me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë; ose të krijohet një bazë e përkohshme ligjore që mundëson shtyrjen e zgjedhjeve”, shkroi ai në Facebook.
Me vendim të Presidentes Vjosa Osmani, zgjedhjet në veri janë shtyrë për 23 prill të vitit të ardhshëm. /Reporteri.net/.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Shpallja e zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit ka qenë gabim qysh në fillim!
Përtej pamundësisë për të ofruar siguri për akterët në zgjedhje, kontestuese do të ishte edhe legjitimiteti i institucioneve të dala nga një proces i tillë zgjedhor.
Përgjatë kësaj kohe, Presidenca dhe Qeveria u sollën sikur gjoja mbajtja e zgjedhjeve në veri është një proces i thjeshtë teknik me të cilin duhet të merret KQZ-ja.
Shtyrja e zgjedhjeve është veprim i arsyeshëm, por që shpërfaqë naivitet dhe dobësi të institucioneve. E para, pasi nuk ishin të aftë të vlerësojnë drejtë situatën në teren; dhe e dyta, pasi nuk qenë në gjendje t’i qëndrojnë prapa vendimit të tyre.
Përkundër këtyre, shtyrja e datë së zgjedhjeve të shpallura, nuk është as në harmoni me Kushtetutën. Presidentja nuk ka kompetencë të shtyjë zgjedhjet e shpallura me një vendim, pavarësisht pëlqimit që ka marrë nga partitë politike. Për të qenë në harmoni me Kushtetutën, më së lehti ka qenë që Presidentja të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme të këto katër komuna, pasi ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike; dhe pastaj të merret pëlqimi i Kuvendit me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë; ose të krijohet një bazë e përkohshme ligjore që mundëson shtyrjen e zgjedhjeve.
Në këtë vend ka ligje dhe institucione të cilat duhet të respektohen pavarësisht situatës. Kështu krijohen precedent të rrezikshëm që mund të abuzohet në të ardhmen.