×
  • Lajme
  • Lajme

    Kriza në veri, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë: Kosova e Serbia t’i kthehen dialogut, aty të adresohen çështjet

    Reporteri
    27 Shtator 2021 | 21:45

    Ambasada e SHBA-së në Prishtinë është deklaruar për Gazetën Online Reporteri.net për krizën në veri pas vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për targa. SHBA nëpërmjet ambasadës së tyre në Kosovë u ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë që të rikthehen në dialog.


    Në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net, Ambasada Amerikane në Prishtinë ka thënë dialogu i lehtësuar nga BE është vendi ku adresohen çështjet.

    “Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të adresuar menjëherë këto çështje, duke përfshirë efektet në sektorin e energjisë dhe më gjerë në ekonominë që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve të tyre. Shtetet e Bashkuara nuk kanë një recetë se si të trajtohen këto tema; kjo u takon palëve për të diskutuar”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA në Prishtinë përmes një zëdhënësi të saj.

    Tutje, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka treguar se në takimin e ardhshëm në Bruksel, që pritet të mbahet këtë javë, do të marrë pjesë edhe zëvendës ndihmës sekretar i Departamentit të Shtetit, Gabriel Escobar.

    “Ne jemi të kënaqur që Serbia dhe Kosova do të dërgojnë përfaqësues në Bruksel këtë javë për diskutime dhe inkurajojmë të dyja palët që të ri-angazhohen hapur, seriozisht dhe menjëherë. Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, do të udhëtojë në Bruksel këtë javë për të marrë pjesë në këto diskutime”, ka thënë sot një zëdhënës i Ambasadës Amerikane në Prishtinë për Gazetën Online Reporteri.net.

    Edhe Qeveria e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, në një prononcim për Reporteri.net, ka treguar se së shpejti do të ketë takim në Bruksel. Por se, sipas Qeverisë nuk ka ende konfirmim të ditës se kur do të ndodh ky takim. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!