×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryeministri Kurti uron Bajramin: Me sakrificë e angazhim, Kosovën do ta bëjmë shtet të fortë

    Reporteri
    20 Korrik 2021 | 7:20

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, uroi të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit.


    Duke kujtuar mesazhin e kësaj feste, që është sakrifica, Kurti tha se me angazhim e shpresë, me solidaritet e dashamirësi, do ta bëjmë Kosovën shtet më të fortë dhe shoqëri më të begatë.

    “Të dashur besimtarë myslimanë, ju uroj lumturi e gëzim në festën e sakrificës, Kurban Bajramin. Sakrificën që bëhet për qëllim të mirë, e don Zoti, e don edhe shoqëria. Sakrifica e bërë për qëllim të mirë na i gëzon zemrat. Ne humbasim diçka, por fitojmë shumë. Ky është mesazhi i kësaj feste, që ka edhe më shumë domethënie për popujt siç jemi ne, pra jo të mëdhenj e jo të pasur. Me sakrificat tona të përbashkëta, me angazhim e shpresë, me solidaritet e dashamirësi, ne do ta bëjmë Kosovën shtet më të fortë dhe shoqëri më të begatë”, shkroi Kurti.

    Kreu i ekzekutivit tha se përkundër që këtë vit Bajrami festohet siç e do tradita të gjithë duhet të kujdesen për higjienën e distancën sociale pasi pandemia është rikthyer në disa vende të botës.

    “Në Kosovë sivjet jemi më të qetë se në vitin e kaluar dhe masat i kemi relaksuar, falë punës së institucioneve të shëndetësisë që kanë siguruar vaksinimin masiv të popullsisë, proces që është në zbatim e sipër. Kështu që, Kurban Bajramin mund ta festojmë ashtu siç është tradita, familjarisht e me miq, por megjithatë, të ruajmë higjienën e distancën sociale, sepse ka vende të botës ku pandemia po rikthehet. Edhe një herë ju uroj, juve e familjeve tuaja, për hajr Bajramin!”, përfundoi Kurti.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!